Red Bull rrezikon, Ferrari shpreson
Sport

Red Bull rrezikon, Ferrari shpreson

RTSH

Një lajm i rëndësishëm vjen nga bota e Formula 1, atje ku FIA ka nisur të hetojë skuadrën Red Bull për falsifikim të bilancit të shpenzimeve.

Skuadra austriake, me qëndër në Milton Keynes, me të cilën Max Verstappen u shpall kampion bote në garën e fundit të Abu Dhabit, mendohet se i ka kaluar ndjeshëm shpenzimet e sezonit të kaluar duke shkelur në këtë mënyrë rregulloren e FIA-s dhe në këtë rast mund të ketë penalizuar Mercedes GP, që humbi betejën për pilotët vetëm në kilometrat e fundit të sezonit të kaluar.

FIA ka nisur tre hetime paralele, por në qëndër të vëmendjes mediatike është çështja, që lidhet me betejën e titullit të kaluar, pasi Mercedes GP mund të kërkojë që titulli t’i kthehet në tavolinë, siç ndodh shpeshherë në futboll, atëherë kur ka shkelje të rregullores.

Sipas mediave italiane nga kjo situatë mund të përfitojë edhe Ferrari, pasi skuadra e kuqe është rivali kryesor i Red Bull këtë sezon, edhe pse diferenca e pikëve është e madhe. Me një fitore të Max Verstappen në Singapor këtë fundjavë, holandezi do të shpallej kampion, por nëse Red Bull Honda rezulton fajtor për tejkalimin e buxhetit, dënimi mund të shtrihet edhe në sezonin aktual. E kjo nga një gjobë e majme dhe deri tek penalizimi i pikëve, që do të ishte skenari më ekstrem në këtë rast.

Nuk dihet ende deri në çfarë pikë kanë shkuar hetimet e FIA-s, por nga Maranello dhe Stuttgarti janë me sy e veshë nga zhvillimet e fundit që mund të ndryshojnë tërësisht tablonë e dy viteve të fundit në sportin me të ndjekur të garave të shpejtësisë.


MË SHUME NGA Sport