Derbi i shifrave…
Sport

Derbi i shifrave…

RTSH

74 vite histori përballjesh, mes kupës dhe kampionatit, në derbin e kryeqytetit.

Partizani dhe Tirana janë ndeshur plot 191 herë mes tyre ku “Demat e kuq” kanë arritur të dominojnë edhe falë 18 viteve pa humbje, që nga 1947 dhe deri në 1965-ën.

Ishte pikërisht kjo periudha më e errët e Tiranës, që, për rreth dy dekada, nuk arriti të provonte asnjëherë shijen e fitores ndaj Partizanit superdominues në ato vite.

Këtë të dielë në ora 19:00, sfida e dy armiqve te betuar sportive rikthehet në Tiranë, pas një ndalese të shkurtër në Elbasan, në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar që u mbyll me dhunë dhe festë.

Në kampionat Partizani ka një avantazh të dukshëm fitoresh me 68 të tilla përballë 45 të bardhebluve ndërsa 51 ndeshje janë mbyllur në barazim. Më dominues janë shfaqur në kupë bardheblutë që regjistrojnë 13 fitore dhe 8 humbje në 28 ndeshje të regjistruara në total. Nuk ka garë as në krahasimet statistikore të golave pasi Partizani ka gëzuar në 252 raste, ndërsa Tirana e ka ndalur topin në rrjetë 211 herë.

Por përballja më e rëndësishme, ajo e trofeve të fituar, rikthen dominuese Tiranën që pas viteve 90 ka arritur të krijojë një diferencë të madhe. 25 herë kampionë të Shqipërisë janë shpallur bardheblutë me 9 tituj më shumë se rivalët.

Me një Kupë diferencë Tirana kryeson edhe në garën e këtij trofeu ku numëron 16 ndaj 15, që ka arritur të hipotekojë Partizani, që nuk e ngre këtë trofe që prej 18 vitesh.


MË SHUME NGA Sport