Marrëdhëniet Turqi-Greqi po tensionohen më tej për Qipron e Ishujt e Egjeut
Rajoni dhe Bota

Marrëdhëniet Turqi-Greqi po tensionohen më tej për Qipron e Ishujt e Egjeut

VOA

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për ishullin e ndarë të Qipros duket se po përshkallëzohen.

Turqia thotë se po rrit praninë e saj ushtarake në ishull në përgjigje të heqjes së embargos së armëve nga Uashingtoni kundër administratës qipriote greke.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu akuzoi SHBA se janë në anën e Greqisë duke thënë se është bërë lodër e Athinës në mosmarrëveshjen për Qipron.

“Ata që mbajnë anën e grekëve vetëm për t’iu bërë qejfin atyre nuk duhet të presin miqësi nga ne, sepse Turqia nuk do të përkulet para akteve të tilla. Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Qipro”, tha zoti Cavusoglu.

Gjatë kësaj jave ai njoftoi se Turqia do të rrisë praninë e saj ushtarake në Qipro pasi Uashingtoni hoqi embargon e armëve ushtarake ndaj administratës qipriote greke.

Ky ishull i Mesdheut është i ndarë mes komuniteteve greke dhe turke qipriote, që nga viti 1974. Administrata greke e Qipros është e vetmja qeveri e njohur ndërkombëtarisht.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price la të kuptohej së fundmi se i ofronte mbështetje Athinës në mes të tensioneve në rritje me Ankaranë mbi ishujt grekë në detin Egje.

“Sovraniteti i Greqisë mbi këta ishuj nuk vihet në pyetje. Por, ne u bëjmë thirrje vendeve, përfshirë aleatët tanë, të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet”, tha zoti Price.

Ankaraja ka dënuar militarizimin e disa prej ishujve grek pranë brigjeve turke, për të cilat Turqia pretendon se shkelin një marrëveshje ndërkombëtare. Athina këmbëngul se po mbron vetëm territorin e saj nga kërcënimet turke.

Analisti politik Cengiz Aktar i Universitetit të Athinës thotë se qeveria greke është duke llogaritur se ka mbështetjen e Uashingtonit dhe nuk duket se ka për t’u tërhequr përballë asaj që e konsideron si bulizëm turk.

“Ka një shprehje në Greqi, mos i nënçmoni vendet e vogla. Ne tani e kemi shembullin e gjallë të Ukrainës dhe Rusisë. Dua të them, grekët janë gati”, vlerëson zoti Aktar.

Tensionet turko-greke nuk janë një gjë e re. Në vitin 1996 të dy vendet shkuan në prag të luftës për një ishull të pabanuar. Ndërhyrja e SHBA-së parandaloi një konflikt të hapur.

Por, me Turqinë që thotë se Greqia po përdor armë të furnizuara nga SHBA për të militarizuar ishujt e saj, vëzhguesit thonë se statusi i Uashingtonit si një ndërmjetës i sinqertë është vënë në pikëpyetje.

Asli Aydintasbas, bashkëpunëtor i Institutit “Brookings”, një grup kërkimor në Uashington, thotë se është i shqetësuar që vendet po i afrohen më shumë luftës.

“Unë mendoj se kjo është e rëndësishme dhe potencialisht shumë e rrezikshme. Është e qartë se të dy vendet e ndjejnë njëri-tjetrin si një kërcënim. Jemi mësuar me tensionime të herëpashershme të marrëdhënive, por mendoj se tani për tani, mjedisi global është shumë i pasigurt, kaotik dhe pothuajse i favorshëm për një konfrontim ushtarak midis Turqisë dhe Greqisë”, thotë për Zërin e Amerikës, zoti Aydintasbas.

Momentalisht, as Athina dhe as Ankaraja nuk duken gati të tërhiqen. Ministri i Jashtëm turk Cavusoglu tha të premten se Turqia është e përgatitur për të zgjidhur tensionet në mënyrë diplomatike, por paralajmëroi se Turqia nuk do të hezitonte të përdorte forcën, nëse diplomacia dështon dhe interesat turke kërcënohen.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle