Gjendet trupi i Erdon Ramadanit, i mbytur në lumin ‘Vardar’ |Video
BKT
Foto: RTKLive
Rajoni dhe Bota

Gjendet trupi i Erdon Ramadanit, i mbytur në lumin ‘Vardar’ |Video

Besnik Iseni/RTK/Shkup

Pas gjashtë ditësh kërkimi,është gjetur në ujërat e lumit ‘Vardar’ trupi i pajetë i studentit Erdon Ramadani nga Kumanova, i cili u aksidentua më 27 shtator në autostradën Tetovë -Shkup, në afërsi të fshatit Zhelinë.

"Në afërsi të objektit ushtarak të Jerebinjës,në lumin ‘Vardar’ ,është gjetur trupi të cilin e kërkonim disa ditë, me Ministrinë e Brendshme e me vullnetarë”, thotë Bekim Maksuti, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, me ushtarë të armatës dhe shumë kompani private, kanë ndihmuar në gjetjen e trupit.

Ekipet e ndërhyrjes dhe vullnetarët e lokalizuan trupin e viktimës, brenda ujërave të lumit ‘Vardar’, në kilometrin e tretë nga vendi i aksidentit.

Pas identifikimit trupi i pajetë i studentit kumanovar, me urdhër të prokurorit është dorëzuar për autopsi në Mjekësinë Ligjore dhe po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ditën e kobshme, sipas familjarëve, djali i tyre i vetëm Erdani po kthehej nga Tetova, ku kishte shkuar për ta bërë pagesën e semestrit në universitet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota