Khamenei paralajmëron për shtypje të mëtejme të protestave në Iran
Rajoni dhe Bota

Khamenei paralajmëron për shtypje të mëtejme të protestave në Iran

REL

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka fajësuar ndikimet e huaja për trazirat që janë përhapur në Iran, pas vdekjes së një gruaje të re, në kohën kur ishte e paraburgim për shkak të shkeljes së rregullave të hixhabit.

Ai paralajmëroi se forcat e sigurisë kanë mbështetjen e tij të plotë për të shtypur pakënaqësitë.

Në reagimin e parë publik pas përhapjes së protestave brenda Iranit, Khamenei ia atribuoi protestat Amerikës, Izraelit dhe iranianëve që gjenden jashtë vendit, të cilët i quajti “tradhtarë”.

Vdekja e Mahsa Amini, 22 vjeçe, “më theu zemrën”, tha ai, duke e cilësuar vdekjen e saj si “incident të hidhur”.

Autoritetet kanë thënë se Amini ka vdekur pas një sulmi në zemër, teksa gjendej në burg për shkelje të rregullave të hixhabit. Por, familjarët dhe iranianët e tjerë kanë hedhur poshtë këto pretendime. Ata thonë se Amini vdiq pasi u rrah nga forcat e sigurisë.

Vdekja e Aminit më 16 shtator ka nxitur një valë protestash kundër rregullës për veshjen e hixhabit nga gratë në publik, që thonë se vë në pah mungesën e të drejtave të grave në Iran.

Para protestave për vdekjen e Aminit, Irani gjatë verës u përball me disa demonstrata për shkak të mungesës së ujit dhe kushteve të këqija të jetesës.

Forcat e sigurisë së Iranit, sipas dëshmitarëve, po përdorin taktika të ashpra për të shtypur protestat e fundit.

Më herët gjatë 3 tetorit, ka pasur protesta në disa universitete në mbarë Iranin. Në Universitetin për Teknologji në Isfahan, studentët protestuan kundër represionit, ndërkaq studentët e Universitetit Sharif në Teheran mbështetën protestat që po organizohen në mbarë vendin, teksa bën thirrje për liri.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota