Himalajet indiane, 4 viktima, dhjetëra të zhdukur nga rënia e një orteku
Rajoni dhe Bota

Himalajet indiane, 4 viktima, dhjetëra të zhdukur nga rënia e një orteku

rtsh.al

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra janë zhdukur, pasi një ortek goditi një ekip alpinistësh në Himalajet indiane. 34 kursantët dhe shtatë instruktorë po praktikonin ski, kur u goditën në zbritje nga një ortek në shtetin verior të Uttarakhand.

Tetë persona nga grupi besohet se janë shpëtuar, ndërsa pjesa tjetër është bllokuar në një çarje. Moti i keq po pengon kërkimet. Raportet e mediave lokale thonë se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. 

Grupi përbëhej nga kursantë nga Instituti i Alpinizmit Nehru aty pranë. Personat ishin duke u kthyer nga mali Draupadi Danda-2, kur ra orteku. "Ne kemi konfirmim për katër të vdekur, ndërsa 33 të tjerë janë bllokuar. Rreth tetë prej tyre tashmë janë shpëtuar, pjesa tjetër është bllokuar në një çarje," i tha agjencisë së lajmeve AFP Ridhim Aggarwal nga Forca Shtetërore e Reagimit ndaj Fatkeqësive. 

“Përpjekjet e shpëtimit do të vazhdojnë për aq kohë sa të lejojë moti,”- tha ai. Ministri i Mbrojtjes Rajnath Singh shkroi në Twitter: "Jemi thellësisht të shqetësuar nga humbja e jetëve, për shkak të rrëshqitjes së ortekut që ka goditur ekspeditën alpinistike të kryer nga Instituti i Alpinizmit Nehru në Uttarkashi". 

Tragjedia vjen një javë pasi trupi i alpinistes së famshme amerikane të skive, Hilaree Nelson, u gjet në Himalajet Nepaleze. Zonja Nelson, e konsideruar si një nga alpinistët më të mëdha të brezit të saj, u raportua se kishte rënë në një të çarë të thellë, pasi arriti majën e malit Manaslu. BBC


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota