Trupa ushtarësh të vrarë rusë në rrugët e Lymanit
Rajoni dhe Bota

Trupa ushtarësh të vrarë rusë në rrugët e Lymanit

Zëri i Amerikës

Megjithë vështirësitë e jetës në një qytet që është shkatërruar nga lufta, tërheqja e forcave ruse dhe rimarrja e kontrollit nga forcat ukrainase u jep shpresë banorëve të Lymanit, një qytet strategjik në rajonin e Donetskut. Ushtarët ukrainas thonë se betejat si ajo për Lymanin shoqërohen me humbje të mëdha, por duke parë përparimin në fushën e betejës, morali tek ushtarët është shumë i lartë.

Në Lyman filluan përpjekjet për pastrimin e rrënojave pas një beteje të ashpër midis forcave ruse dhe atyre ukrainase, ndërsa trupat e ushtarëve të vrarë rusë vazhdojnë të shihen rrugëve të qytetit.

Çlirimi i qytetit lindor me rëndësi të madhe strategjike shihet si një fitore e madhe nga presidenti ukraians Volodymyr Zelenskyy, ndërsa ushtria ruse njoftoi tërheqjen nga kjo zonë.

“Ofensiva e ushtrisë dhe luftëtarëve tanë po vazhdon. Vendbanime të tjera janë çliruar në disa rajone. Luftimet e ashpra po vazhdojnë në disa zona frontale. Por e ardhmja është e qartë: gjithnjë e më shumë pushtues po arratisen, ushtria armike po vuan gjithnjë e më shumë humbje dhe po kuptohet gjithnjë e më shumë se Rusia bëri një gabim të madh kur filloi luftën kundër Ukrainës”, tha zoti Zelenskyy në një fjalim të hënën vonë.

Çlirimi i Lymanit u jep shpresë qytetarëve që vazhdojnë të jetojnë aty. Ata kanë ngelur pa ujë, energji elektrike dhe gaz, por janë optimistë sepse prej disa ditësh nuk po përballen me sulme nga Rusia.

“Po qëndroja në korridor, pak metra larg sulmit. Forca e shpërthimit më hodhi tutje. Zoti na ruajt, tani nuk dëgjoj shpërthime”, kujton sulmet ruse 85 vjeçarja Valentyna Kuzmychina.

Ndërkohë ushtria ukrainase ka nisur përpjekjet për pastrimin e rrugëve, duke mbledhur trupat e ushtarëve të vrarë.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press, ushtari me nofkën “Rud” tha se lufta për liri shoqërohet me humbje të mëdha.

"Luftojmë për tokën dhe fëmijët tanë, që populli ynë të jetojë më mirë. Por e gjithë kjo ka një çmim të lartë”, tha ai.

“Jam shumë i motivuar sepse po çlirojmë tokën tonë. Jam i trishtuar sepse kemi humbje dhe të plagosur. Por në përgjithësi, kam atë shpirtin e luftëtarit”, thotë Vitalii, një ushtar ukrainas 29 vjeçar.

Qyteti i Lymanit ishte bastion i forcave ruse në veri të rajonit të Donetskut.

Forcat ukrainase morën kontrollin e tij një ditë pasi presidenti rus Putin njoftoi aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, duke përfshirë Donetskun, ku ndodhet qyteti i Lymanit.

Kjo është një humbje e rëndë për Moskën që ka paralajmëruar për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkallës së ulët.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota