Ish-polici vrau 34 persona në një kopsht fëmijësh në Tajlandë
Rajoni dhe Bota

Ish-polici vrau 34 persona në një kopsht fëmijësh në Tajlandë

VoA

Autoritetet tajlandeze thanë se tridhjetë e katër persona u vranë të enjten në Tajlandë në një sulm në një kopsht fëmijësh nga një ish oficer i policisë, i cili vrau gruan dhe fëmijën e tij përpara se të vetëvritej.

Një zyrtar i policisë tha se 22 fëmijë janë në mesin e viktimave të sulmuesit, i cili ishte liruar nga shërbimi vitin e kaluar.

Ai citoi dëshmitarët të kenë thënë se përveç armës së zjarrit, sulmuesi mbante edhe thikë me vete.

Rreth 30 fëmijë ishin në kopsht në kohën e sulmit, më pak se zakonisht, pasi shiu i madh kishte penguar familjet të dërgojnë fëmijet e tyre atje, i tha agjencisë së lajmeve Reuters një zyrtari i qarkut, Jidapa Boonsom, i cili punon në një zyrë aty pranë.

“Sulmuesi arriti rreth orës së drekës dhe qëlloi së pari katër ose pesë zyrtarë në qendrën e kujdesit për fëmijët”, tha Jidapa, duke shtuar se mes tyre ishte një mësuese, shtatzënë në muajin e tetë.

Sulmuesi më pas u fut me forcë në një dhomë të mbyllur ku flinin fëmijët, tha Jidapa, duke i qëlluar ata me thikë.

Të shtënat masive janë të rralla në Tajlandë, edhe pse shkalla e posedimit të armëve është e lartë në krahasim me disa vende të tjera të rajonit dhe armët e paligjshme janë të zakonshme.

Në vitin 2020, një ushtar i zemëruar pas një mosmarrëveshjeje pronësie, vrau të paktën 29 veta dhe plagosi 57 të tjerë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota