Protestat në Iran vazhdojnë, duke u bërë kërcënim për regjimin e Teheranit
Rajoni dhe Bota

Protestat në Iran vazhdojnë, duke u bërë kërcënim për regjimin e Teheranit

VOA

Protestat në Iran për vdekjen e një gruaje 22-vjeçare të arrestuar nga policia e moralit të vendit kanë vazhduar për të tretën javë radhaz, edhe pasi autoritetet ndërprenë internetin, aktivizuan forcat speciale kundër trazirave dhe sulmuan ata që po i cilësojnë si armiqtë jashtë vendit.

Një skenar i tillë i masave shtypëse ka funksionuar më parë, por demonstratat spontane për vdekjen e Mahsa Aminit vazhdojnë dhe marrin forma të ndryshme. Në një incident të kohëve të fundit, nxënës të shkollave të mesme iu kundërvunë një personi të linjës së ashpër duke e përzënë nga shkolla, ndërsa politikane dhe aktore të famshme jashtë vendit tani po presin flokët publikisht, për solidaritet me gratë protestuese iraniane që kanë bërë të njëjtën gjë.

Kohëzgjatja dhe metamorfoza e protestave përbëjnë një kërcënim të ri për Teheranin, i paparë që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 ku mijëra vetë dolën për të protestuar në rrugë.

Protestat në dukje spontane dhe pa një figurë qendrore udhëheqëse, të nxitura kryesisht nga klasa e mesme dhe e lartë, ndajnë disa nga të njëjtat pika të forta dhe të dobëta të protestave mbi dhjetë vjet më parë. Teokracia e Iranit përfundimisht i shtypi ata me kalimin e kohës. Mbetet në pikëpyetje nëse do të bëjë të njëjtën gjë tani.

Të kuptosh plotësisht atë që ndodh në të gjithë Iranin, një vend me mbi 80 milionë banorë që është dy herë e gjysmë më i madh se shteti i Teksasit në SHBA, është e vështirë edhe në kohë të qeta, duke pasur parasysh kufizimet qeveritare.

Tani, është edhe më e vështirë. Autoritetet kanë arrestuar të paktën 35 gazetarë dhe fotografë që nga fillimi i demonstratave më 17 shtator, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Shumica e informacionit merren nga videoklipet që aktivistët arrijnë t’i publikojnë në internet vetëm disa sekonda.

Protestat filluan në pranë varrit të Aminit, një iraniane kurde e arrestuar nga forcat e policisë morale të Iranit. Që nga zgjedhja e presidentit të linjës së ashpër Ebrahim Raisi vitin e kaluar, patrullat e moralit janë bërë më agresive, me video që qarkullojnë të oficerëve që keqtrajtojnë gratë e reja për shkak të rrobave të tyre ose shamitë e njohura si hixhabe.

Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk ishte abuzuar, ndërsa televizioni shtetëror ka transmetuar pamjet e rrëzimit të saj në një stacion policor dhe duke marrë trajtim mjekësor. Megjithatë, asnjë video e arrestimit apo transportimit të saj në stacionin e policisë nuk është publikuar edhe pse Teherani filloi të pajisë oficerët e policisë me kamera trupore para pesë vjetësh. Kjo arsye si edhe varrimi me shpejtësi i kërkuar nga zyrtarët e sigurisë, nxiti zemërimin në qytetin e lindjes së Aminit, Saqqez, rreth 460 kilometra në perëndim të Teheranit.

Në atë demonstratë dhe në ato të mëvonshme në të gjithë vendin, gratë protestuese kanë tundur shamitë e tyre dhe kanë thirrur në gjuhën farsi, “Vdekje diktatorit!”, duke iu referuar udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Kjo është një thirrje e rrezikshme në një vend ku akuzat se je “mofsed-e-filarz” ose “korruptues i tokës”, duke treguar mospajtim politik mund të sjellë dënim me vdekje në Gjykatën Revolucionare të Iranit ku proceset mbahen me dyer të mbyllura.

Deri ku kanë arritur demonstratat dhe shtypja e tyre mbetet e paqartë. Një raport i agjencisë së lajmeve “Associated Press” duke iu referuar raporteve në mediat shtetërore dhe atyre të lidhura me shtetin tregon se ka pasur të paktën 1,900 arrestime që kanë pasur të bëjnë me protestat. Demonstrata janë raportuar në të paktën 50 qytete, qyteza dhe fshatra.

Televizioni shtetëror për herë të fundit sugjeroi se të paktën 41 persona ishin vrarë deri në demonstratat e 24 shtatorit. Kanë kaluar gati dy javë që nga ajo kohë dhe nuk ka pasur asnjë përditësim të të dhënave nga qeveria e Iranit.

Një grup me seli në Oslo, i quajtur “Irani Human Rights”, vlerëson se të paktën 154 persona janë vrarë, ndonëse këtu janë përfshirë edhe 63 njerëz të vrarë gjatë dhunës në qytetin lindor iranian, Zahedan. Autoritetet iraniane kanë thënë se në dhunën në Zahedan janë përfshirë separatistë të paidentifikuar, megjithëse “Irani Human Rights” tha se incidenti filloi si sulm hakmarrës mbi akuzat për përdhunim kundër një oficeri të policisë lokale.

Ndërkohë, Irani ka nisur sulme ndërkufitare ndaj separatistëve kurdë në Irak gjithashtu dhe ka këmbëngulur se demonstratat janë një komplot i huaj, që duket se janë disenjuar për të larguar vëmendjen nga zemërimi i përhapur mbi hixhabin e detyrueshëm në Iranit.

Që nga Revolucioni Islamik i Iranit i vitit 1979 dhe vitet e trazuara që pasuan menjëherë, demonstratat kanë qenë një tipar i përbashkët në të gjithë vendin. Shumë demonstrata bëhen për çështjet lokale dhe jo duke kërkuar ndryshime politike mbarëkombëtare, siç janë demonstratat e fermerëve të mërzitur me reduktimet e furnizimit me ujë, mësuesit që duan paga më të larta ose pensionistët të zemëruar pasi humbën kursimet e tyre në përpjekjet e privatizimit që janë kritikuar gjerësisht.

Protestat e studentëve goditën Teheranin në vitin 1999. Protestat ekonomike përfshin vendin në fund të 2017 dhe në fillim të vititi 2018. Një vit më pas, zemërimi për eliminimin e subvencioneve nga qeveria për benzinën ndezi në mënyrë të ngjashme demonstrata mbarëkombëtare.

Ndryshe nga tre valët e mëparshme, këtë herë linjat e ashpra kontrollojnë çdo levë pushteti në presidencën e Iranit, gjyqësorin dhe parlamentin e tij, që do të thotë se nuk ka asnjë tjetër për ta fajësuar. E njëjta gjë ndodhi në demonstratat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009, të shkaktuara nga rizgjedhja e Presidentit të linjës së ashpër Mahmoud Ahmadinejad mes akuzave të përhapura për manipulim votash.

Demonstratat e vitit 2009 u fokusuan gjithashtu në zonat urbane dhe kryesisht patën protestues të klasës së mesme dhe të lartë. Në protestat aktuale kanë marrë pjesë grupe të ngjashme njerëzish dhe dëshmitarët thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë nga thirrjet ekonomike nga raundet më të fundit të demonstratave. Të famshëm iranianë dhe yjet e futbollit kanë folur gjithashtu.

Megjithatë, ka ende dallime të qarta mes vitit 2009 dhe sot. Demonstratat e vitit 2009 nxorën miliona njerëz në rrugë. Deri më tani, protestat aktuale nuk e kanë arritur të njejtën gjë.

Demonstratat e vitit 2009 zgjatën gjithashtu për muaj të tërë përpara se të ngadalësoheshin, duke u shuar përfundimisht në vitin 2011, kur autoritetet arrestuan udhëheqësit e tyre në mes të protestave të Pranverës Arabe. Demonstratat aktuale ende nuk kanë arritur kufirin e katër javëve

Momentet vendimtare janë përpara. Irani duket se po përgatitet për të shtunën, fillimi i javës iraniane, kur studentët e universitetit duhet të rifillojnë mësimet duke shkuar fizikisht në universitet. Të dielën e kaluar, forcat e sigurisë qëlluan me gaz lotsjellës dhe me armë për shpërndarjen e studentëve që po demonstronin në Universitetin e Teknologjisë, “Sharif” në Teheran, sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në Nju Jork. Ai universitet dhe të tjerët vijuan mësimet përmes internetit për pjesën tjetër të javës.

Nëse demonstratat vazhdojnë në klasa dhe rrugë anembanë Iranit, qeveria e vijës së ashpër të Iranit do të duhet të vendosë se çfarë të bëjë më pas. Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë shenjë se ata do të tërhiqen.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota