Kryeministri britanik në ardhje, kërkon unitet në parti e shtet
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
Rishi Sunak ka bërë lutje për unitet përballë një "sfide të thellë ekonomike" pasi fitoi garën për të qenë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe
Ai fitoi garën për lidership të konservatorëve, pasi rivalja Penny Mordaunt nuk arriti të sigurojë mbështetjen e mjaftueshme nga deputetët.
Në fjalimin e tij të parë, Sunak tha se bashkimi i partisë së tij dhe Mbretërisë së Bashkuar, do të ishte "përparësia e tij më e madhe".
Sunak do të bëhet kryeministri i parë britanik me prejardhje aziatike dhe më i riu në moshë për më shumë se 200 vitet e fundit, raporton BBC, transmeton RTKlive.
Sunak, një 42-vjeçar, praktikant i besimit hindu - pritet të marrë detyrën të martën si kryeministër i Britanisë së Madhe, pasi të jetë emëruar formalisht edhe zyrtarisht edhe nga Mbreti.
Ai zëvendëson Liz Truss-in, pas dorëheqjes së saj, vetëm 45 ditë pas qëndrimit të saj si kryeministre, që ishin javë të trazuara për të.
Pas kryesimit të mbledhjes së saj të fundit të kabinetit në orën 09:00, kryeministrja në largim do të bëjë një deklaratë para kryeministrisë në “Downing Street 10”, para se të udhëtojë drejt Pallatit Buckingham në audiencën e saj të fundit me Mbretin.
Kjo do të pasohet nga audienca e parë e Sunak me monarkun, gjatë së cilës ai do të ftohet edhe formalisht të formojë kabinetin e ri qeveritar.
Më pas, Sunak do të udhëtojë në “Downing Street” ku edhe do të bëjë një deklaratë rreth orës 11:35, përpara se të hyjë në kryeministri.
Presidenti amerikan, Joe Biden, sipas sekretarit për media të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se ka në plan të telefonojë Sunak për “t’i bërë urimet e tij", pasi kryeministri i ri britanik, të përfundojë audiencën me Mbretin.
Sunak merr detyrën si kryeministri i tretë konservator që kur partia fitoi zgjedhjet e fundit të përgjithshme në 2019 - duke bërë që laburistët të udhëheqin thirrjet për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.
Në fjalimin - i cili u zhvillua me dyer të mbyllura - Sunak u tha atyre se kjo do të ishte një periudhë e vështirë dhe përjashtoi zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, tha deputeti Simon Hoare.























