Sot para mesditës, Britania e Madhe bëhet me kryeministër të ri
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
Rishi Sunak, 42 vjeç, do të bëhet sot paradite edhe zyrtarisht kryeministër i Britanisë së Madhe, meqë paraprakisht fitoi garën për udhëheqjen e Partisë Konservatore.
Ai do të shkojë në Pallatin Buckingham për të takuar Mbretin Charles III, përpara se të kthehet në “Downing Street 10”, dhe të hyjë si kryeministri i parë britanik që ka rrënjë aziatike (indiane), raporton BBC, transmeton RTKlive.
Sunak do të jetë lideri i tretë i Mbretërisë së Bashkuar brenda shtatë javësh, pas dorëheqjes së ish kryeministrit Boris Johnson dhe paraardhëses së tij, Liz Truss e cila gjithashtu dha dorëheqje.
Sunak si kryeministër pritet të mbajë fjalimin e tij të parë në këtë cilësi, jashtë “Downing Street” sot në orën 11:35 minuta.

Por së pari, kryeministrja në largim, Liz Truss, do të kryesojë mbledhjen e saj të fundit të kabinetit qeveritar sot në orën 09:00, përpara se t'i dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen e saj, Mbretit Charles në orën 10:15.
Pasi u zgjodh të hënën nga deputetët konservatorë si lider i partisë, Sunak paralajmëroi se vendi përballet me një "sfidë të thellë ekonomike". Por, ai premtoi të shërbejë me integritet.
Sunak përjashtoi zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, pavarësisht thirrjeve nga Laburistët, Partia Kombëtare Skoceze, Liberal Demokratët dhe Partia e Gjelbër.
Ai përballet me një detyrë të frikshme për të trajtuar inflacionin më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, që ka ndodhur në 40 vitet e fundit.























