Tensione në gadishullin Korean
RTK
Koreja e Veriut ka lansuar të paktën 10 raketa, ndërsa njëra nga to ka kaluar kufirin dhe ka rënë në territorin e Koresë së Jugut, jo shumë larg bregut të qytetit Sokço. Koreja e Jugut është përgjigjur pothuajse në të njëjtën mënyrë, duke lansuar tri raketa, e njëra nga to ka rënë pranë bregut lindor të Koresë së Veriut.
Për herë të parë Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë shkrepur raketa, të cilat kanë rënë në brigjet e të dyja vendeve, e kjo ka ndodhur për herë të parë. Zyrtarët e Koresë së Jugut kanë thënë se Koreja e Veriut ka lansuar të paktën 10 raketa në të dy drejtimet, në perëndim dhe në lindje.
Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se raketa e lansuar nga Koreja e Veriut përbën shkelje të papranueshme të territorit të saj. Të paktën njëra nga këto raketa ka rënë rreth 26 km në jug të kufirit, 57 km në lindje të qytetit Sokcho.
Rreth tre orë më vonë, Seuli i është kundërpërgjigjur Phenianit duke i lansuar tri raketa me precizitet të lartë, të llojit ajër-tokë, e njëra prej tyre ka rënë në ujërat jo shumë larg bregut lindor të Koresë së Veriut.
Të martën, Koreja e Veriut ka paralajmëruar atë të Jugut dhe Shtetet e Bashkuara se do të paguajnë çmimin më të tmerrshëm në histori, nëse vazhdojnë ushtrimet e përbashkëta ushtarake, të cilat i shohin si kërcënim të fshehtë për përdorimin e armëve bërthamore.
Të hënën, një nëndetëse amerikane që shfrytëzon energjinë bërthamore ka mbërritur pranë brigjeve të Koresë së Jugut, si pjesë e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut, të cilat kanë nisur në gusht të këtij viti.























