Ministri turk i Drejtësisë jep detaje për sulmin në Stamboll
RTKLive
(E plotësuar) Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se e dyshuara për sulmin e së dielës në Stamboll , ka qëndruar e ulurnë një stol për kur pas kësaj ndodhi shpërthimi.
Bozdag deklaroi se nuk dihet identiteti i gruas së dyshuar për sulmin, por se të dhënat për atë janë duke u ekzaminuar.
“Të gjitha të dhënat janë duke u hetuar për të gjetur autorët dhe të gjitha agjencitë janë në kërkim të tyre”, u shpreh ai.
“Konsiderohet si një akt terrorist. Se për cilën organizatë terroriste bëhet fjalë, do të përcaktohet nga hulumtimi”, ka deklaruar Bozdag.
Al Jazeera raportoi se në këtë shpërthim dyshohet se janë të përfshirë tre persona, përfshirë edhe gruaja që dyshohet se vendosi eksplozivët. Dy persona të tjerë, besohet se janë dy burra të lindur në vitin 2000, transmeton RTKLive.
E dyshuara besohet se është një anëtare e Partisë – së jashtëligjshme – të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Në shpërthimin e së dielës, autoritetet turke , konfirmuan se gjashtë persona humbën jetën, ndërsa 81 të tjerë pësuan lëndime. Prej 81 të lënduarve, 39 janë liruar nga spitali. Pesë persona gjenden në kujdes intensiv, ndërsa dy janë në gjendje kritike.
Erdogan: Nga sulmi me bombë u vranë 6 persona në Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 53 janë plagosur në Stamboll më 13 nëntor. Ai tha se shpërthimi ishte "sulm me bombë", që tha se mund të jetë sulm "terrorist".
Duke folur për gazetarët para se të nisej për në Indonezi, ku do të marrë pjesë në samitin e G20-s, Erdogan tha se shpërthimi ishte sulm "i pabesë", duke shtuar se keqbërësit do të ndëshohen.
“Mund të jem gabim nëse e them se jam i sigurt se ky është terror, por sipas shenjave të para.... ka një erë terrori në këtë ngjarje”, tha Erdogan gjatë një konference për media.
"Përpjekja për të sunduar Turqinë dhe popullin e Turqisë përmes terrorizmit nuk do jetë e mundur të arrihet as sot, e as nesër", shtoi ai.
Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital. Edhe 53 persona të tjerë janë plagosur, sipas guvernatorit të Stambollit, Ali Yerlikaya.
Yerlikaya më herët shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor.
Sipas guvernatorit Yerlikaya, ngjarja ndodhi në orën 16:20.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.
Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.
Pas shpërthimit në Stamboll, Ambasada e Kosovës në Ankara ka vënë në dispozicion një numër kontaktues emergjent të Konsullatës në Stamboll për qytetarët e Kosovës që gjenden në shtetin turk.
“Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në Turqi janë në komunikim të ngushtë me autoritetet vendore turke lidhur me zhvillimet e fundit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, vëzhguesi i mediave në Turqi ka ndaluar përkohësisht raportimeve e mediave për shpërthimin, që do të thotë se transmetuesit nuk mund të shfaqin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese. Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit kishte vendosur ndalesa të tilla edhe në të kaluarën pas sulmeve aksidenteve apo edhe për disa çështje politike.
Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Një video tjetër shfaqi autoambulancat, ekipet e zjarrfikësve dhe policinë në vendin e ngjarjes. Në mediat sociale u tha se dyqanet në këtë zonë janë mbyllur pas shpërthimit.
Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe restorante.

Ekipe të sigurisë shihen në Istikalal, pas shpërthimit të 13 nëntorit.
Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e kishin marrë grupi militantë Shteti Islamik dhe militantët kurdë.
4 të vdekur dhe 38 të plagosur nga shpërthimi në Stamboll
B. Halimi / RTKlive
Katër persona kanë humbur jetën dhe 38 kanë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur pasditen e sotme në afërsi të Taksimit në Stamboll. Këto shifra i ka bërë publike guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya në "Twitter".
"Sipas raporteve fillestare, 4 persona kanë humbur jetën dhe 38 janë lënduar në shpërthimin që ka ndodhur në rrugën Istiklal”, ka shkruar Yerlikaya.
Shpërthim në Stamboll, raportohet për të vdekur dhe të plagosur
Një shpërthim ka ndodhur para pak çasteve në afërsi të Taksimit në Stamboll. Si rrjedhojë shumë persona janë plagosur, raporton gazeta turke “Sabah” në versionin online.
Sipas informacioneve të fundit, shumë ekipe shëndetësore dhe policore janë dërguar në këtë pjesë të Stambollit.
Tash për tash thuhet se shpërthimi ka ndodhur për arsye të panjohura.
Lidhur me shpërthimin është deklaruar edhe guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya. Ai ka thënë se nga ky shpërthim ka edhe të vdekur.
“Sot, rreth orës 16:20, ka ndodhur një shpërthim në rrugën Istiklal në Taksim. Policia, ambulancat dhe zjarrfikësit, janë në vendin e ngjarjes. Ka të vdekur dhe të lënduar”, ka shkruar kryetari i Stambollit, Ali Yerlikaya në "Twitter".
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka nisur një hetim për terrorizëm. Nga ana tjetër, është kufizuar edhe shpërndarja e pamjeve të shpërthimit në Taksim Istiklal në rrjetet sociale.























