Vëllaznimi s`luan në ndeshjet e Kupës, Prishtina kalon në 1/8 e finales
Uran Krasniqi/RTKLive
Ekipi ndodhet në gjendje jo të mirë financiare dhe Vëllaznim i Gjakovës nuk do të luajë në Kupën e Kosovës. Kjo ka bërë që Prishtina, që ishte kundërshtar i klubit nga Gjakova, të kalojë në rrethin tjetër të garës.
Tërheqjen e Vëllaznimit e ka konfirmuar edhe Prishtina.
"Sfida Vëllaznimi – Prishtina e paraparë që të zhvillohet të enjten nga ora 12:00 në Gjakovë në kuadër të Kupës së Kosovës për fazën 1/16 së finales, është anuluar. Anulimi ka ardhur me kërkesë të klubit nga Gjakova me arsyetimin se ekipi ndodhet në gjendje jo të mirë financiare. Prishtina mbetet me shpresë se klubi “kuqezi” do t’i tejkalojë këto sfida dhe të organizohet pasi futbollit të Kosovës i duhen klubet me traditë siç është Vëllaznimi. Skuadra jonë pas vendimit për anulimin e ndeshjes, kalon në 1/8 e finales automatikisht. Vëllaznimi ishte paraparë si kundërshtari i parë i Prishtinës për këtë edicion sa i përket Kupës që është trofeu i dytë më i rëndësishëm në Kosovë. Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës shtatë herë, për herë të fundit në edicionin 2019/2020", ka shkruar klubi kryeqytetas.























