SHBA hedh poshtë pretendimet detare të Pekinit në Detin e Kinës Jugore
Rajoni dhe Bota

SHBA hedh poshtë pretendimet detare të Pekinit në Detin e Kinës Jugore

VOA

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris vizitoi të martën ishullin Palawan në Filipine dhe riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për një vendim të OKB-së që hedh poshtë pretendimet detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Zëvendëspresidentja Harris ndodhet në këtë vend si një shfaqje e mbështetjes së Uashingtonit për aleatin e saj, mes qëndrimeve edhe më të forta të Pekinit në rajon, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara.

Gjatë takimeve me përfaqësues të komunitetit lokal në ishullin Palawan të Filipineve, nënpresidentja amerikane Kamala Harris nënvizoi pasojat e peshkimit të paligjshëm, një problem rajonal, me Kinën si një nga shkelësin më të mëdhenj.

Nënpresidetja Harris është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton ishullin e Detit të Kinës Jugore, që ndodhet vetëm 330 kilometra në lindje të ishujve Spratly të pretenduar tërësisht nga Kina dhe pjesërisht nga Filipinet, Brunei, Malajzia, Tajvani dhe Vietnami.

“Siç e kanë bërë të qartë Shtetet e Bashkuara prej kohësh, ne mbështesim vendimin e vitit 2016 të gjykatës së arbitrazhit të OKB-së, i cili dha një vendim unanim dhe përfundimtar duke hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet e mëdha detare të Kinës në Detin e Kinës Jugore”, tha zonja Harris.

Kina, Filipinet, Brunei, Malajzia, Tajvani dhe Vietnami kanë pretendime territoriale për pjesë të ndryshme të detit, Pekini pretendon një sipërfaqe të madhe të tij.

Mbi këto çështje ka pasur edhe përplasje.

“Me problemet që po shohim, jo vetëm në rajon, por kryesisht në rajon, këto partneritete bëhen edhe më të rëndësishme”, tha presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr.

Vizita e zonjës Harris kishte si qëllim të tregonte mbështetjen për një nga aleatët më të vjetër të Uashingtonit në Azi. Gjatë takimit të saj të së hënës me zotin Marcos, ajo tha se një sulm ndaj Filipineve do të nxiste reagimin amerikan për mbrojtje të ndërsjellë. Kina u kundërpërgjigj.

“Ne nuk jemi kundër shkëmbimeve normale mes SHBA-së dhe Filipineve, por shkëmbime të tilla nuk duhet të dëmtojnë interesat e vendeve të tjera”, tha Zhao Lijian, Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze

Ndërsa Kina rrit aktivitetin ushtarak në rajon, Uashingtoni po kërkon të riparojë lidhjet me Manilën pas marrëdhënieve të tensionuara nën presidentin e mëparshëm Rodrigo Duterte.

Ashtu si shumë vende në rajon, qeveria aktuale e zotit Marcos kërkon të gjejë një rrugë të mesme mes një rivaliteti SHBA-Kinë, duke iu përmbajtur politikës "mik me të gjithë dhe armik me askënd".

"Në shumë mënyra, politika e të qenit mik me të gjithë është ushtrim i një politike të jashtme të pavarur, por ndërsa përkufizimi i Dutertes ishte të ishte i pavarur nga Shtetet e Bashkuara dhe i varur nga Kina, zoti Marcos duket se është më i aftë për ta luajtur këtë lojë”, thotë Charmaine Misalucha-Willoughby e Fondacionit për Interesin Kombëtar.

Nga pesë aleatët e traktatit të Uashingtonit në Indo-Paqësor, Filipinet janë më pranë Tajvanit e për këtë arsye është e rëndësishme për planet e SHBA-së për të frenuar dhe për t'iu përgjigjur një kërcënimi të mundshëm kinez në ishullin e vetadministruar, që Pekini e sheh si një territor të pabindur.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota