Varhelyi: Mali i Zi të zgjidhë çështjet e hapura
Rajoni dhe Bota

Varhelyi: Mali i Zi të zgjidhë çështjet e hapura

VOA

Komisioneri europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha të mërkurën në Bruksel se përparimi i mëtejshëm në negociatat mes Malit të Zi dhe BE-së do të varet nga përmbushja e standardeve të përkohshme të arritura në kapitujt 23 dhe 24.

Në seancën e Parlamentit Europian, ku u diskutuan rekomandimet për strategjinë e re të zgjerimit të BE-së, Varhelyi tha se Mali i Zi duhet të intensifikojë përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Për Malin e Zi, prioritet për përparim të mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit mbetet përmbushja e standardeve të përkohshme të sundimit të ligjit të përcaktuara në kapitujt 23 dhe 24. Për të arritur këtë nivel, Mali i Zi duhet të intensifikojë përpjekjet e tij për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë fushat kritike të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar “ tha zoti Verhelyi.

Në rekomandimet për strategjinë e re të zgjerimit të diskutuar nga Parlamenti Europian, thuhej se negociatat për anëtarësim me kandidatët nga Ballkani Perëndimor duhet të përfundojnë deri në fund të dekadës.

Autori i rekomandimit, deputeti Tonino Picula, theksoi në debat se “në situatën e krijuar nga pushtimi rus i Ukrainës, zgjerimi duhet të marrë një vrull të ri, të jetë i parashikueshëm dhe bindës dhe çdo kandidat për anëtarësim duhet të vlerësohet sipas progresit në reformat evropiane. Sidomos kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, gjyqësorin, i cili duhet të jetë i njëjtë si në BE-në.”

Picula tha gjithashtu “se në negociatat për përfundimin e kapitullit, vendimet duhet të merren me shumicë të cilësuar të anëtarëve të BE-së, ndërsa për përfundimin përfundimtar të procedurës së anëtarësimit, të gjithë anëtarët e bllokut evrolian duhet të bien dakord unanimisht.”

Bisedimet e anëtarësimit me Malin e Zi filluan më 29 qershor 2012. Me 32 kapituj të hapur, Podgorica gëzoi një mbështetje të gjerë mes zyrtarëve të anëtarëve të BE-së, dhe pranimi i vendit në BE konsiderohet i mundur deri në vitin 2025, duke parë ecurinë pozitive të punës së bërë nga zyrtarët e Malit të Zi. Anëtarësimi kishte mbështetjen e 75% të qytetarëve.

Mirëpo me fitoren e partive pro-ruse dhe pro-serbe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 nisi kriza politike në Mal të Zi, e cila u thellua me rrëzimin e shpejtë të qeverisë së Zdravko Krivokapiqit. Pas saj u zgjodh qeveria e pakicës me Dritan Abazoviqit si kryeministër, detyra e së cilës ishte të përshpejtonte procesin evropian dhe integrimin e Malit të Zi.

Mirëpo, për shkak të ndryshimit të përparësive dhe miratimit të Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, qeveria e Abazoviqit u rrëzua në gusht të këtij viti.

Përpjekja për të formuar një qeveri të re, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, dështoi sepse presidenti Milo Gjukanoviq refuzoi të pranonte mandatarin e propozuar.

Në këtë kuadër, Fronti Demokratik inicioi miratimin e Ligjit për Presidentin me të cilin shumica parlamentare do të merrte autoritetin e Gjukanoviqit për të propozuar kandidatë dhe për të formuar një qeveri të re, e treta në tre vitet e fundit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota