Kina shton masat kufizuese pas rritjes rekorde të rasteve me COVID-19
Rajoni dhe Bota

Kina shton masat kufizuese pas rritjes rekorde të rasteve me COVID-19

REL

Kufizimet shkaku i pandemisë COVID-19 po vendosen në të gjithë Kinën, përfshirë një qytet ku punëtorët e një fabrike u përleshën këtë javë me policinë, pasi numri i rasteve të COVID-19 po thyen rekorde ditore.

Banorëve të tetë rajoneve në Zhengzhou, ku banojnë 6.6 milionë njerëz, iu tha të qëndrojnë në shtëpi për pesë ditë duke filluar nga e enjtja, përveç për blerje të ushqimit ose trajtime mjekësore. Testim masiv ditor u urdhërua si pjesë e asaj që qeveria e qytetit e quajti "luftë asgjësimi" kundër virusit.

Gjatë përplasjeve të së martës dhe mërkurës, policia e Zhengzhou i rrahu punëtorët që po protestonin për një mosmarrëveshje lidhur me pagat në fabrikën më të madhe të telefonit të mençur Iphone, nga kompania Apple, që ndodhet në zonën industriale afër qytetit.

Foxconn, pronarët nga Tajvani, kërkuan falje të enjten për “një gabim teknik në sistemin kompjuterik” dhe thanë se do të garantonin se pagesat do të bëheshin ashtu siç ishin marrë vesh fillimisht dhe siç ishte paralajmëruar gjatë rekrutimit.

Gjatë 24 orëve paraprake ishin regjistruar 31.444 raste të reja me COVID-19, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë të enjten. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në qytetin Wuhan që kur ishte detektuar për herë të parë virusi në fund të vitit 2019.

Numri ditor i rasteve të reja ka qenë në rritje kohët e fundit. Këtë javë, autoritetet raportuan për vdekjen e parë shkaku i COVID-19 në gjashtë muajt e fundit, duke e çuar totalin në 5.232.

Përderisa numri i rasteve dhe vdekjeve është relativisht i ulët në krahasim me ato në SHBA dhe në vendet të tjera, Partia Komuniste e Kinës mbetet e përkushtuar ndaj strategjisë “zero-COVID” që synon ta izolojë çdo rast dhe ta eliminojë virusin plotësisht.

Shumica e qeverive të tjera i kanë dhënë fund kufizimeve dhe llogarisin vetëm në vaksinim dhe imunitet të qytetarëve shkaku i infektimeve të kaluara në parandalimin e vdekjeve dhe sëmundjeve serioze.

Bizneset dhe komunitetet rezidenciale, nga qendra prodhuese e Guangzhou deri në Pekin, kanë masa kufizuese të ndryshme, të cilat prekin veçanërisht punëtorët emigrantë. Në shumë raste, banorët thonë se kufizimet shkojnë përtej asaj që lejon qeveria kombëtare.

Përderisa kufijtë e Kinës mbeten kryesisht të mbyllur, qeveria ka “optimizuar dhe lehtësuar procesin e daljes dhe hyrjes për ekzekutivët, personelin e specializuar të kompanive shumëkombëshe, bizneseve të huaja dhe anëtarëve të familjeve të tyre në Kinë”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë të përditshme për media të enjten.

Mao tha se Kina do të vazhdojë t’i përmirësojë protokollet e COVID-19 "sipas parimeve të bazuara në shkencë" për të ndihmuar në lehtësimin e udhëtimit dhe bashkëpunimit me vendet e tjera.

Një problem kryesor është shqetësimi se sa të ndjeshëm janë njerëzit ndaj virusit. Një numër jo shumë i madh i kinezëve janë infektuar me COVID-19 ose janë ekspozuar ndaj virusit, kështu që vetëm një përqindje e vogël mendohet se kanë krijuar nivele efektive të antitrupave që luftojnë virusin.

Kina ka një shkallë të përgjithshme vaksinimi kundër koronavirusit prej më shumë se 92 për qind dhe shumica e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë. Por një numër më i vogël i të moshuarve - veçanërisht ata mbi moshën 80 vjeç – janë vaksinuar.

Qeveria po përpiqet të frenojë valën e fundit të infektimeve pa i mbyllur fabrikat dhe pjesën tjetër të ekonomisë së saj, siç bëri në fillim të vitit 2020. Një taktikë është përdorimi i "qarkut të mbyllur", sipas të cilit punëtorët do të jetonin në fabrikat ku punojnë, pa pasur kontakt me botën jashtë .


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota