Kina dyfishon mbushjet bërthamore në 2 vjet
BKT
Rajoni dhe Bota

Kina dyfishon mbushjet bërthamore në 2 vjet

VOA

Ritmi i shtimit të aftësive bërthamore të Kinës mund t`i mundësojë Pekinit të ketë një rezervë prej rreth 1500 mbushjesh bërthamore deri në vitin 2035.

Kjo, sipas raportit vjetor të Pentagonit "Fuqia Ushtarake e Kinës" që iu dorëzua Kongresit të martën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb sjell hollësitë.

Një raport i ri i Pentagonit thotë se Kina ka më shumë se 400 mbushje bërthamore, duke e dyfishuar arsenalin e saj bërthamor në vetëm dy vjet.

Në raport thuhet gjithashtu se Pekini lëshoi afërsisht 135 raketa balistike për testime dhe stërvitje vitin e kaluar, "më shumë se pjesa tjetër e botës e marrë së bashku", nëse përjashtohen raketat balistike të lëshuara në zona konflikti si Ukraina.

“Nëse vëren aftësinë dhe kapacitetin e arsenalit të raketave të Kinës, mbetesh pa frymë”, thotë Bradley Bowman me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Pentagoni e quan Kinën, sfidën e tij në rritje.

"Kina është i vetmi vend që gjeopolitikisht ka potencialin e fuqisë për të qenë një sfidë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe ata janë", thotë gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatëmadhorisë Amerikane.

Sipas raportit, Kina ka rritur ato që Pentagoni i quan veprime ushtarake "të pasigurta" dhe "joprofesionale" ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj në rajon.

Veçanërisht, siç thekson analisti i mbrojtjes Bradley Bowman, drejt ishullit demokratik të Tajvanit.

“Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga opsioni i forcës ushtarake kundër Tajvanit, kanë refuzuar në mënyrë të qartë ta bëjnë këtë dhe po ndërmarrin veprime si ato të një vendi që është duke u përgatitur për të kryer një sulm potencial kundër Tajvanit”.

Sipas Pentagonit, sulmi mbetet një mundësi, ndonëse nuk duket të jetë i menjëhershëm, pavarësisht qëndrimeve të fundit agresive.

"Siç thekson raporti, ne nuk besojmë se është një sulm i pashmangshëm", thotë gjenerali Pat Ryder.

Një zyrtar tjetër i lartë i mbrojtjes, u tha gazetarëve se Kina ka krijuar një normalitet të ri rreth Tajvanit për sa i përket aktivitetit ushtarak.

Menjëherë pas vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan në gusht, Kina shtoi stërvitjet, lëshimet e raketave dhe aktivitetin ushtarak në ngushticë.

Ato përfundimisht u ulën, por janë ende rutinë, tha zyrtari, në vend që të rezervohen për raste të rralla, siç ishte praktika e Kinës përpara vizitës.

Ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe i tha Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin në Kamboxhia javën e kaluar se Pekini e konsideron Tajvanin si një "vijë të kuqe".

Dhe ky agresion ka vazhduar në zona si Deti i Kinës Jugore, ku aeroplanmbajtësja USS Chancellorsville përfundoi një operacion në mbështetje të kalimit të lirë në ujërat ndërkombëtare. Në këtë zonë kalon gjysma e tonazhit të mallrave të tregëtisë ndërkombëtare me një vlerë prej triliona dollarësh çdo vit.

“E di se ka pasur disa raportime se Kina në thelb e nxorri anijen tonë nga zona. Kjo nuk është e vërtetë. Përsëri, ne do të vazhdojmë të lundrojmë, fluturojmë dhe operojmë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar”, tha gjenerali Pat Ryder.

Kina pretendon një pjesë të madhe të detit si territorin e saj dhe ka injoruar një vendim të gjykatës ndërkombëtare që thotë se Pekini nuk ka asnjë pronësi mbi Detin e Kinës Jugore.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota