Defenders: Italia ka numrin më të madh të stacioneve policore kineze
Rajoni dhe Bota

Defenders: Italia ka numrin më të madh të stacioneve policore kineze

REL

Italia ka numrin më të madh të stacioneve policore jozyrtare të Kinës, nga një rrjet prej më shumë se 100 statcionesh të tilla në mbarë botën, tha një grup spanjoll i të drejtave të njeriut.

Qyteti verior italian i Milanos dyshohet se është përdorur nga dy autoritete lokale të sigurisë publike kineze, si vend për të testuar një strategjie policore për të monitoruar kinezët që jetojnë jashtë vendit dhe për detyruar disidentët që të kthehen në Kinë.

Organizata Safeguard Defenders (Mbrojtësit e Sigurisë), me seli në Madrid, kishte raportuar në shtator se 54 stacione të tilla ekzistonin në mbarë botën, duke nxitur nisjen e hetimeve në të paktën 12 shtete, përfshirë në Kanada, Gjermani dhe Holandë.

Ndërkaq, në raportin e publikuar të hënën, kjo organizatë tha se janë identifikuar edhe 48 stacione shtesë, 11 prej të cilave në Itali. Po ashtu janë identifikuar stacione të reja në Kroaci, Serbi dhe Rumani.

Stacionet policore kineze në Itali gjenden në Romë, Milano, Bolzano, Venecia, Firence, Prato – një qytet afër Firences, ku gjendet komuniteti më i madh kinez në Itali – dhe në Sicili.

Kina ka thënë se zyrat janë thjesht “stacione shërbimi” që janë ngritur për të ndihmuar qytetarët kinezë me procedurat burokratike, si për rinovimin e pasaportës apo patentë-shoferit.

Hulumtimi i kryer nga Safeguard Defenders është bazuar në deklaratat publike kineze dhe në të dhënat e qasshme, dhe hulumtimi është kufizuar vetëm në stacionet e ngritura nga autoritetet lokale kineze të sigurisë publike, në shtetet ku ka komunitet të madh kinez.

Kjo organizatë pretendon se përderisa stacionet policore nuk udhëhiqen drejtpërdrejt nga Pekini, “disa deklarata dhe politika kanë nisur të tregojnë një udhëzim më të qartë nga qeveri qendrore për inkurajimin e themelimit të këtyre stacioneve dhe politikave të tyre”.

Safeguard Defenders pretendon se këto stacione jozyrtare policore përdoren nga Kina për të “kërcënuar dhe detyruar kinezët që të kthehen në Kinë, shtet ku do të ndiqen penalisht”.

Grupi po ashtu tha se ka prova se kërcënimi – në vend të ekstradimit përmes kanaleve zyrtare – po përdoret për të detyruar njerëzit që të largohen nga Italia.

“Ne kemi monitoruar të dhënat e Kinës dhe në prill kemi hasur në një informacion publik ku thuhej se 210.000 persona ishin kthyer në shtet brenda një viti”, tha Laura Hardh, drejtoreshë e fushatës në Safeguard Defenders.

Në Itali jetojnë 330.000 shtetas kinez, sipas të dhënave për vitin 2021 të Agjencisë së Statistikave të Italisë.

Italia dhe Kina kanë nënshkruar për herë të parë më 2015 një marrëveshje për patrullime të përbashkëta policore. Sipas kësaj marrëveshjeje, policia kineze patrullon në qytetet italiane për periudha të përkohshme kohore, gjoja për të ndihmuar turistët kinezë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota