Brukseli zyrtar i cilëson ‘shumë shqetësuese’ akuzat për korrupsion
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
Arrestimet e të dyshuarve për korrupsion në Parlamentin Evropian, janë "shumë, shumë shqetësuese", tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Edhe ministri irlandez i Punëve të Jashtme, Simon Coveney, tha se akuzat kundër katër personave janë "shumë të dëmshme".
Në mesin e të arrestuarve është edhe Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, që besohet të jetë një nga të akuzuarit.
Prokurorët dyshojnë se një shtet i Gjirit – thuhet se është Katari – u përpoq të ndikojë në parlament, duke dhuruar para ose dhurata.
Katari ka mohuar këtë sjellje të pahijshme.
Policia belge sekuestroi të premten para me vlerë rreth 600 mijë euro (632,000 dollarë; 515,000 funta) në 16 kontrolle në Bruksel. Gjithashtu janë marrë kompjuterë dhe telefona celularë për të ekzaminuar përmbajtjen e tyre.
Katër persona janë akuzuar ndërsa dy janë liruar, thanë prokurorët këtë të diel.
Asnjë i dyshuar nuk është përmendur publikisht, por zonja Kaili mësohet të jetë në mesin e atyre që janë paditur.
“Ata akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, tha në një deklaratë, Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës.
(Marrë me shkurtime nga BBC. Titulli në origjinal është: Akuzat për korrupsion në BE, 'shumë shqetësuese', thotë shefi i politikës së jashtme)























