Rama mbledh liderët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, s’shkon Kasami
J.Musliu/RTKlive
Kryeministri Edi Rama ka ftuar sonte në Tiranë, lideret politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Ftesa u është drejtuar të gjithë kryetarëve të partive politike që janë të përfaqesuara në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht, Bashkimit Demokratik per Integrim, Aleanca për Shqiptaret, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Por jo të gjithë do të jenë sonte në këtë takim. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, deklaroi për mediat e Tiranës se ai refuzoi ftesën e kryeministrit Rama, për të qenë prezent në këtë darkë.
Sipas tij, darka e thirrur nga Rama i shërben vetëm interesave të BDI-së e cila është në pushtet, për të cilën tha se tani ndodhet në një krizë të brendshme, me funksionarë të lartë të partisë që kanë dalë kundër ekzekutivit.
“Duke pasur parasysh turbulencat brenda BDI-së, ku tani hapur një grup i të rebeluarve funksionarë të lartë të partisë, nga kryetari i Këshillit Mbikqyrës, nënkryetari i partisë, deputetë e kryetar komunash kanë dalë hapur kundër ekzekutivit, ministrave të kësaj qeverie, të cilët edhe ata i vlerësojnë si të dështuar, në këtë situatë më së shumti i shërben BDI-së defokusimi i situatës nga dështimi i saj në qeveri në drejtim të thirrjes së bërë nga zoti Rama për këtë darkë të thirrur për sonte, tha Kasami.
Sipas Kasamit, është e njohur në Maqedoninë e Veriut se BDI qëndron në qeveri vetëm për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin dhe në asnjë moment nuk është e interesuar për avancimin e çështjeve shqiptare.
“Maqedonasit e kanë kuptuar se disa çështje i zgjidhin më mirë në interes të tyre duke pasur ministra dhe funksionarë shqiptarë dhe në këtë mënyrë e tolerojnë që gjysma e qeverisë të jetë me funksionarë shqiptarë, por që çështjet shqiptare të mos përparojnë”, u shpreh ai.
Nuk dihet se cili është qëllimi i këtij takimi në Tiranë, por ajo që është prioritet për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit europian, janë ndryshimet kushtetuese për të përfshirë minoritetin bullgar.
Opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do ta votojë një gjë të tillë, ndërsa ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.























