Ancelotti: Zakonisht nuk dalim keq nëpër finale
F.Bytyqi/RTKLive
Real Madridi mundi Valencian pas penalltive duke siguruar finalen për Superkupën e Spanjës.
Trajneri i ‘Los Blancos’ Carlo Ancelotti e pranon se dueli me skuadrën e Genaro Gattussos, ka qenë sfidë e vështirë dhe ndërlikuar, sepse sipas tij, Valencia bëri ndeshje mjaft të mirë.
“Ka qenë një ndeshje shumë e vuajtur për ne, tepër e ndërlikuar, sepse dhe Valencia ka luajtur mjaft mirë. Në fakt e kemi ndërlikuar vetë ndeshjen tonë me një gabim trashanik kolektiv në fillimin e pjesës së dytë kur na barazuan. Unë kam parë një pjesë të parë mjaft mirë si dhe fundin e takimit ku kemi treguar freski. Natyrisht që jemi të kënaqur, sepse është qartësisht e dallueshme se skuadra nuk është në formën e saj optimale. Rëndësi ka qe ne të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje dhe çdo sukses të jep më shumë moral”, ka thënë Ancelotti.
Sa për ndeshjen finale, Ancelotti nuk ka shprehur ndonjë preferencë, ndonëse në Arabi presin të gjithë “Klasiken”.
“Tani nuk mund të mendojmë për rivalin tonë në finale. Tani duhet të mendojmë që jemi në finale, që ishte dhe objektivi i parë. Zakonisht nuk dalim keq nëpër finale. Ndaj shkojmë për ta fituar atë”, ka shtuar Ancelotti.
Reali në finalen e Superkupës do të takohet me fituesin e ndeshjes Real Betis-Barcelona, ndeshje kjo që luhet sonte prej orës 20:00.























