Organizohet turneu më i madh i futbollit në diasporë `Lika Cup`
M.Sh/RTKLive
Në St. Gallen të Zvicrës po mbahet turneu tashmë tradicional në futboll, “Lika Cup” i organizuar nga klubi shqiptar atje, “KF Dardania SG”.
Turneu ka nisur dje ku janë luajtur tashmë plot 66 ndeshje, ndërsa do të vazhdojë edhe sot, derisa ky organizim konsiderohet mjaft i madh dhe atraktiv për futbollin në diasporë.
Në këtë turne po marrin pjesë 64 skuadra që vijnë nga e gjithë Evropa, ndërsa turneu është tradicional që mbahet nga viti 2012, por që kjo është hera e parë që rikthehet pas periudhës së pandemisë.
Në lidhje me këtë organizim ka folur kryetari i klubit “KF Dardania SG”, Eduard Oroshi, i cili tha se organizimi është i një niveli të lartë.
"Kryesia e klubit ka bërë punë shumë të mirë dhe organizim fenomenal. Janë 64 ekipe që po marrin pjesë nga e gjithë Evropa, përfshirë edhe ato që vijnë nga Gjermania, Çekia dhe shtete tjera. Jemi duke punuar që çdoherë të bëhemi më të suksesshëm, në mënyrë që të arrijmë të konkurrojmë me sa më shumë klube. Padyshim që ka shumë punë të organizohet një turne i tillë, por jemi të kënaqur që kemi arritur të bëjmë një organizim kaq të madh", u shpreh i pari i klubit “KF Dardania SG”.
Turneu “Lika Cup” do të vazhdojë sot, me ndeshje interesante.
Padyshim që ky është një organizim mjaft i madh i bërë nga një klub shqiptar në diasporë, dhe njëherësh është një promovim për kulturën sportive nga diaspora, në këtë rast ajo në shtetin e Zvicrës.























