Cantona: Ronaldo duhet ta kuptojë se nuk është më 25 vjeç
Uran Krasniqi / RTKLive
Ish-futbollisti i Manchester United dhe i Francës, Eric Cantona, ka thënë se Cristiano Ronaldo duhet ta pranojë se nuk është më njëzet e pesë vjeç dhe duhet ta ndjekë shembullin e veteranëve Ryan Giggs, Zlatan Ibrahimovic dhe Paolo Maldini.
Ronaldo, i cili tashmë është tridhjetë e shtatë vjeç, u largua nga United pas një përplasje me drejtuesit dhe vendosi që karrierën ta vazhdojë në Arabinë Saudite, te klubi Al Nassr.
"Ka dy lloje veteranësh: ata që duan të luajnë çdo ndeshje, sepse ende mendojnë se janë 25 vjeç dhe ata që e kuptojnë se nuk janë 25 vjeç dhe janë aty për të ndihmuar lojtarët e rinj. Pra ka lojtarë që ndihmojnë lojtarët e rinj: Ibrahimovic ende e bën këtë me Milanin, Ryan Giggs ose vetë Maldini kur ishte në Milan", ka thënë francezi. "Cristiano Ronaldo nuk e kupton se nuk është 25 vjeç. Ai tashmë është më i vjetër dhe nuk e di se në vend që të jetë i pakënaqur që nuk ka luajtur gjatë gjithë kohës ai duhet të pranojë realitetin".























