Llapi përforcohet me Aleksandar Milicin dhe Rinor Hoxhën
Uran Krasniqi / RTKLive
Aleksandar Milic dhe Rinor Hoxha janë përforcimet e fundit të Llapit para fillimit të sezonit të ri të Superligës. Ka qenë vetë klubi nga Podujeva që ka njoftuar për transferimin.
"KF Llapi njofton se ka nënshkruar kontratë me mbrojtësin e djathtë, Aleksandar Milic. Milic, i lindur më 24.08.1998 i lindur në Podgoricë vjen pas një eksperience 1 vjeçare me Petrovac në Superligën e Malit të Zi. Ish-reprezentuesi i Malit të Zi U-17, U-19 dhe U-21, do vihet menjëherë nën urdhërat e trajnerit Tahir Batatina dhe do udhëtoj me pjesën tjetër të ekipit për përgatitje në Antalya. 24-vjeçari gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për skuadrat: Kom Podgorica, FK Zeta Golubovac, OFK Grbalj dhe OFK Titograd", ka njoftuar Llapi.
Pastaj klubi i drejtuar nga Tahir Batatina ka folur edhe për lojtarin tjetër.
"Klubi Futbollistik “Llapi” njofton se pas takimit të mbajtur në mes të kryetrajnerit të skuadrës, Tahir Batatina me drejtuesit e Klubit Futbollistik “Vllaznia” nga Pozherani është arritur marrëveshja që sulmuesi Rinor Hoxha të jetë pjesë e Llapit sipas marrëveshjes dhe kontratës 3-vjeçare. Në emër të Presidentit të klubit, z. Beqir Batatina falenderojmë kryesinë e KF Vllaznia Pozheran për bashkëpunimin dhe korrektësinë në këtë drejtim. Niveli i ngritjes dhe avancimit të talentëve në skuadrën e Llapit ka shtyrë drejtuesit e ekipit të Vllaznisë që t'i hap rrugët për transferimin e Rinor Hoxhës tek Llapi pa dëmshpërblim dhe me leje të klubit. Njëherit u njoftojmë se tanimë klubi ka leje kalimin për transferimin e Hoxhës nga Vllaznia Pozheran dhe i njëjti ka të drejtë të aktivizohet me Llapin sipas kontratës së nënshkruar", ka njoftuar klubi nga Podujeva.
Pas përfundimit të sezonit vjeshtor Llapi gjendet në vendin e gjashtë në renditjen tabelare.























