Tornado në Hjuston, raportohen dëme
Rajoni dhe Bota

Tornado në Hjuston, raportohen dëme

VOA

Një stuhi e fuqishme goditi bregun e Gjirit amerikan të martën, duke nxitur një tornado që shkaktoi dëme në lindje të qytetit të Hjustonit, në shtetin e Teksasit.

Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar më herët se një "tornado e fuqishme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse", kishtë goditur në tokë të martën pasdite dhe ishte nisur drejt qytetit Beitaun, rreth 40 kilometra në lindje të Hjustonit. Autoritetet e qytetit njoftuan për dëme në rrjetin elektrik, në banesa e biznese, por nuk pati njoftime për lëndime serioze mes popullatës.

Pamjet e transmetuara nga stacioni televiziv i Hjustonit 'KTRK' treguan dëme në ndërtesa dhe shtylla elektrike në Pasadena, një qytet në juglindje të Hjustonit. Ende nuk ka njoftime për të lënduar.

Faqja e internetit 'PowerOutage.us', e cila mbledh të dhëna të drejtpërdrejta mbi ndërprerjet e energjisë elektrike në të gjithë vendin, njoftoi se rreth 123,000 familje të Teksasit, kishin mbetur pa energji elektrike, kryesisht në zonën e Hjustonit dhe në disa zona përreth tij.

Ky zhvillim shënon vetëm fillim e asaj që pritet të jetë një natë me stuhi të fortë përgjatë bregut të Gjirit amerikan. Qendra e Parashikimit të Stuhive në Norman të Oklahomës, njoftoi se zonat përgjatë bregut, mund të prekeshin të martën nga tornado, erëra të forta dhe breshër.

Stuhia solli me vete gjithashtu borë e akull në zonat qendrore të vendit, në pjesën më të madhe të tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota