Prishtina, Drita e Trepça `89 dalin kundër Draft-statutit të FFK-së
Sport

Prishtina, Drita e Trepça `89 dalin kundër Draft-statutit të FFK-së

Uran Krasniqi/RTKLive

Tri klube të Superligës së Kosovës kanë dalur kundër Draft-statutit të propozuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.

FFK-ja e ka ftuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm për 27 janar për ta bërë ndryshimin e Statutit. Dy klubet, Prishtina dhe Drita, kanë thënë se kanë gjetur shkelje në draft, duke u shprehur se si i tillë ai nuk e gëzon mbështetjen e tyre. Me qëndrimin e Dritës është pajtuar edhe Trepça ’89.

Te Prishtina kanë thënë se klubi ka arsye të shumta për mos ta votuar këtë draft-statut.

“I gjithë procesi i përgatitjes dhe draftimit është karakterizuar me parregullsi, mungesë transparence, si dhe mungesë të konsultimeve me klube. Ne fakt, është krejt e paqartë kush e ka draftuar këtë statut dhe kush e ka caktuar “grupin e punës”, i cili e ka përgatitur këtë draft duke mos konsultuar për asnjë moment përfaqësuesit e klubeve e në këtë rast edhe FC Prishtinën”, ka theksuar Prishtina. “Prishtina asnjëherë nuk do të përligjë me votën e saj shkatërrimin që është duke ju bërë këtij sektori nga ana FFK-së, e cila është federata e vetme në botë, e cila e fokuson energjinë në luftimin e klubeve të cilat i përfaqëson. FC Prishtina nuk do të pajtohet asnjëherë që të tregtojë ardhmërinë e gjeneratave të fëmijëve tanë, për të mbajtur në funksion njerëz që vizionin e vetëm për zhvillim dhe përparim të futbollit e kanë zhvatjen dhe përfitimin e parave në kurriz të perspektivës së fëmijëve dhe të rinjve kosovarë që e duan futbollin dhe duan të rriten në ambient të shëndetshëm, të rrethuar shpresa për sukses”.

Te Drita, qëndrim që e ka mbështetur edhe Trepça ’89, kanë bërë thirrje te klubet që të analizohet para se të votohet.  

“4. Nenin 32 paragrafi 8, pika f, ku thuhet të ketë qenë tash më aktivë në organizim të futbollit-anëtarë të drejtpërdrejtë të FFK-së në 5 vite e fundit (ky kriter nuk aplikohet për kandidatë për pozitat në komisionet e pavarura). Ky kritere është eliminues për shumë emra të njohur të futbollit Propozimi aktual ne Draft Statut që kandidatët për president, anëtar të KE, të ketë qenë tashme aktive ne organizim te futbollit - anëtarë të drejtpërdrejtë te FFK-së në pesë (5) vitet e fundit është kriter diskriminues për të gjithë anëtaret e FFK-së që në 4-5 vitet e fundit kanë investuar miliona euro në futbollin e Kosovës, apo pamundëson emra e lavdishëm të futbollit si Shaqir, Xhaka, Muriqi, Hasi , Kozniku të kandidojnë nesër për pozita udhëheqës në FFK ngase nuk janë aktivë të angazhuar në FFK në 5 vitet e fundit”, ka treguar klubi gjilanas një nga mospajtimet e veta.

Te Trepça’89 kanë thënë se lidhur me Draft-statutin janë bërë shkelje.

“Klubi jonë KF Trepça’89 me kujdes të veçantë ka analizuar Draft Statutin e FFK-së i cili pritet të jetë në rend dite në kuvendin e jashtëzakonshëm të datës 27.01.2023 Duam që përmes kësaj komunikate të njoftojmë gjithë komunitetin futbolldashës se ky proces ka shkelje serioze të procedurave Statutare dhe ligjore të cila janë evidentuar nga juristët e klubit tonë andaj ju ftojmë që të jeni të vetëdijshëm se çka do të votoni!”, ka shkruar klubi mitrovicas.

 


MË SHUME NGA Sport