Krasniqi i Cluj po pret ftesë nga Kosova për ndeshjet e marsit
Uran Krasniqi/RTKLive
Ermal Krasniqi ka thënë se momentalisht gjendet në formë të mirë sportive dhe po pret që Kosova t`ia ofron rastin për ndeshjet e këtij muaji kur të ketë filluar fushata për kualifikimet e Evropianit të vitit 2024.
Futbollisti nga Malisheva ka folur për tifozët e CFR Cluj, skuadër në të cilën shkoi nga Ballkani.
Krasniqi ka fituar çmimin "Lojtari i Muajit" për muajin shkurt.
“Normalisht jam në formë të mirë dhe po pres ftesën nga Kosova. Është knaqësi e veçantë të luaj për shtetin tim”, ka thënë Krasniqi.
Pastaj ai ka folur rreth klubit rumun.
"Të them të drejtë në fillim nuk më besohej edhe shumë, por normal jam ndjerë shumë mirë, sepse të luash për kampionin e Rumanisë është ndjenjë shumë e mirë. Për mua ka qenë një moment i veçante, sepse e kam ditur që është një hap i madh në karrierën time. Në ndeshjet që i kemi zhvilluar në Conference League më kanë lënë përshtypje të mirë. Me të gjithë jam duke kaluar mirë dhe më kanë pritur aq mirë sa po ndihem si në shtëpi", ka thënë Krasniqi.























