Donjeta Sadikut sërish i pamundësohet pjesëmarrja në Botërorin e boksit
B. H. / RTKlive
Boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku, e cila ka fituar medaljen e bronztë të botës dhe e Evropës, nuk do të paraqitet në Kampionatin botëror në Nju Dehli. Shkak për këtë janë bërë pengesat që vendi organizator ka vendosur ndaj ekipit të Kosovës.
Në fakt, Ministria e Jashtme e Indisë, të hënën vendosi që t’i pajisë me vizë hyrëse delegacionin e Kosovës për pjesëmarrje në Botërorin e boksit, por vetëm pas disa orësh vendosi kushtëzime të reja: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.
Duke i parë këto kushte dhe diskriminimin që shteti i Indisë i bëri Kosovës, Federata e Boksit e Kosovës në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.
Donjeta Sadikut edhe në dy raste tjera iu mohua pjesëmarrja në Kampionatet Botërore të mbajtura në Indi.























