Stoltenberg:Mirëpres vendimin e Turqisë për ratifikimin e Finlandës në NATO
ATSH-DPA
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se ai mirëpret vendimin e Turqisë për të vazhduar me ratifikimin e anëtarësimit të Finlandës në aleancën ushtarake.
“Kjo do të forcojë sigurinë e Finlandës, do të forcojë sigurinë e Suedisë dhe do të forcojë sigurinë e NATO-s”, tha Stoltenberg në një video-mesazh.
Ai shtoi se ”shpresonte se parlamenti turk do të votonte mbi këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Gjëja më e rëndësishme është që Finlanda dhe Suedia të bëhen shpejt anëtarë të plotë të NATO-s, jo nëse ata anëtarësohen saktësisht në të njëjtën kohë,” tha Stoltenberg për Ankaranë që vazhdon të bllokojë anëtarësimin e Suedisë.
Stoltenberg përsëriti se procesi i anëtarësimit ka përmirësuar tashmë situatën e sigurisë të të dy vendeve nordike.
“Është e paimagjinueshme që NATO të mos përgjigjet nëse Finlanda ose Suedia do të sulmoheshin. Siguria e tyre është e rëndësishme për NATO-n,” vuri në dukje ai.