Baerbock nxit integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut
Rajoni dhe Bota

Baerbock nxit integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut

atsh

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock i kërkoi Maqedonisë së Veriut të miratojë një amendament kushtetues i cili do t’i hapte rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë një vizite sot në vend.

Baerbock tha se amendamenti, i cili do të përcaktojë statusin e pakicës së vogël bullgare të vendit në kushtetutë, nuk duhet të bëhet një mollë e sherrit politik, në garën për vlerësimet e popullaritetit në sondazhe ose në garën ku secila palë mund të dalë në krye në zgjedhje.

 

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas takimit me Baerbock tha se qeveria po planifikon zbatimin e amendamentit dhe se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç thellimit të marrëdhënieve me BE-në.

Republika e Maqedonisë së Veriut është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005.

Anëtarja e BE-së, Bullgaria ka kërkuar me vendosmëri zbatimin e amendamentit si një parakusht për hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Brukselin.

Në vendin me rreth 1.8 milionë banorë jetojnë rreth 3000 njerëz të përkatësisë bullgare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga Bashkimi Social Demokrat (SDSM), po përballet me një presion politik të vështirë brenda vendit përpara zgjedhjeve të planifikuara në vitin 2024.

Amendamenti kushtetues është i diskutueshëm dhe i kundërshtuar brenda vendit.

Miratimi i amendamentit kërkon dy të tretat e shumicës dhe mbështetjen e opozitës.

Ministrja e Jashtme gjermane, gjatë vizitës së saj premtoi mbështetjen e BE-së për Maqedoninë e Veriut në kuadër të përpjekjeve ruse dhe kineze për të rritur ndikimin në Ballkanin Perëndimor.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota