Sulmi vdekjeprurës në bazën e koalicionit, kundërpërgjigjet SHBA
Rajoni dhe Bota

Sulmi vdekjeprurës në bazën e koalicionit, kundërpërgjigjet SHBA

RTSH

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj një grupi të mbështetur nga Irani në Siri , pasi një kontraktor amerikan u vra kur një dron i dyshuar i prodhuar nga Irani sulmoi një bazë të koalicionit në verilindje të vendit.

Sipas The Guardian, Pentagoni tha se pesë anëtarë të shërbimit amerikan dhe një kontraktor tjetër amerikan mbetën të plagosur si pasojë e sulmit të së enjtes (23 mars).

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se forcat e Komandës Qendrore të SHBA u hakmorën me "sulme ajrore precize" kundër objekteve në Sirinë lindore të përdorura nga grupet e lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.

"Siç e ka bërë të qartë Presidenti Biden, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe do të përgjigjemi gjithmonë në një kohë dhe vend që zgjedhim. Asnjë grup nuk do të godasë trupat tona pa u ndëshkuar", tha Austin.

Departamenti i Mbrojtjes tha se komuniteti i inteligjencës kishte përcaktuar se mjeti ajror pa pilot i përdorur në sulmin në bazën e koalicionit, ishte me origjinë iraniane.

“Sulmet ajrore u kryen në përgjigje të sulmit të sotëm, si dhe të një serie sulmesh të fundit kundër forcave të koalicionit në Siri” nga grupet e lidhura me Gardën Revolucionare", tha Austin.

Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit, e cila i përgjigjet vetëm udhëheqësit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, është dyshuar për kryerjen e sulmeve me dronë me bomba në mbarë Lindjen e Mesme.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga Irani për sulmet, të cilat vijnë gjatë muajit të shenjtë të agjërimit mysliman të Ramazanit.

Nuk është hera e parë që SHBA nën presidentin Joe Biden godet Sirinë për shkak të tensioneve me Iranin. Forcat amerikane hynë në Siri në vitin 2015, duke mbështetur forcat lokale në luftën e tyre kundër grupit të Shtetit Islamik. SHBA ende mban një bazë pranë Hasakah në veri-lindje të Sirisë, ku ndodhi sulmi me dron të së enjtes. Ka afërsisht 900 trupa amerikane, dhe akoma më shumë kontraktorë, në Siri.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota