Së paku 31 viktima nga shpërthimi i zjarrit në një traget në Filipine
Luan Qorraj / RTK
Së paku 31 persona në mesin e të cilëve 5 fëmijë, kanë humbur jetën, përderisa dhjetëra të tjerë janë lënduar, si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një traget të udhëtarëve në provincën Basalan të Filipineve.
Sipas raporteve, tragjedia ndodhi rreth orës 23, sipas kohës lokale, në tragetin Lady Mary Joy, i cili ishte duke transportuar udhëtarët mes ishujve të ndryshëm filipin, kur për arsye ende të panjohura, një zjarr , i cili u përhap shpejtë, kaploi një pjesë të madhe të tragetit duke detyruar qindra udhëtarë të hidhen në ujë në tentim të shpëtimit. Sipas rojës bregdetare të Filipineve, falë reagimit të shpejtë të banorëve të ishullit Basalan, të cilët pasi dëgjuan shpërthimin dhe panë tragetin në zjarr, dolën në det për të ndihmuar të mbijetuarit, më shumë se 250 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar nga uji. Hetuesit kanë thënë se janë duke hetuar shkaqet e mundshme të zjarrit, përfshirë edhe mundësinë se ai mund të ishte shkaktuar qëllimisht.























