MAL I ZI – Nis balotazhi i zgjedhjeve presidenciale
atsh
Qytetarët në Malin e Zi do të votojnë sot në zgjedhjet presidenciale.
Në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, do të jenë përballë presidenti aktual, Milo Gjukanoviç dhe ish-ministri i Ekonomisë, i arsimuar në Perëndim, i cili zotohet të nxjerrë vendin nga një krizë e shënuar nga vota mosbesimi në dy qeveri.
Qendrat e votimit u hapën sot në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00. Rezultatet e para jozyrtare nga anketuesit, priten të dalin rreth dy orë më vonë.
Gjukanoviç, 61 vjeç, ka dominuar Malin e Zi si president apo kryeministër për 33 vjet, që nga fillimi i kolapsit të Jugosllavisë federale tashmë të zhdukur.
Ai e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë në vitin 2006 dhe drejt anëtarësimit në NATO në 2017.
Vendi është gjithashtu një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kundërshtarët kanë akuzuar prej kohësh ish-komunistin dhe Partinë e tij Demokratike të Socialistëve (DPS) për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që ata i kanë mohuar.
Rivali i Gjukanoviç është Jakov Milatoviç, 37 vjeç, një ish-ministër i Ekonomisë dhe nënkryetar i lëvizjes “Evropa Tani” që është zotuar të frenojë korrupsionin, të përmirësojë standardet e jetesës dhe të forcojë lidhjet me Bashkimin Evropian dhe ish-republikën jugosllave, Serbinë.























