SHGSK: Kosova do ta kujtojmë me respekt veprën e gazetarit Begu
RTKLive
Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, me pikëllim të thellë mori lajmin e hidhur, për ndarjen nga jeta të gazetarit shumëvjeçar të sportit, Musa Begu.
“Mitrovica dhe mbarë Kosova do ta kujtojë gjithmonë me respekt jetën dhe veprën e këtij kolosi dhënë gazetarisë sportive. Musa Begu, ka punuar shumë gjatë në gazeta të ndryshme sportive, si Rilindja, Bota sot, Arena Sportive, Kosova Sport, Tribuna sportive etj. Musa Begu ka qenë edhe anëtar nderi i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës si dhe është nderuar me çmimin për "Vepër Jetësore" nga SHGSK-ja”, thuhet në njoftimin e SHGSK-së.
Me këtë rast, Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Begu dhe gjithë komunitetit të gazetarëve sportivë, për vdekjen e kolegut Musa Begu.























