Rusia e akuzoi zyrtarisht gazetarin amerikan për spiunazh
REL
(E plotësuar) Gazetari amerikan Evan Gershkovich është akuzuar zyrtarisht në Rusi për spiunazh, raportoi AFP (Agence France-Presse).
Në njoftimin e agjencive ruse të lajmeve, më 7 prill, siç raporton AFP-ja, korrespondenti i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i cili më parë ka punuar për AFP-në, akuzohet penalisht sipas nenit 276 të Kodit Penal të Rusisë, në bazë të së cilit kërcënohet me 20 vjet burg.
Gershkovich i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, pas arrestimit të tij javën e kaluar në Jekaterinburg, 1800 kilometra në lindje të Moskës. Autoritetet ruse urdhëruan paraburgimin e tij deri më 29 maj, i cili mund të zgjatet deri në një gjykim të mundshëm.
FSB: “Ka spiunuar kompleksin ushtarak”
Më herët, Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse njoftoi se Gershkovich u privua nga liria me dyshimin se ka spiunuar në dobi të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe me urdhër të saj.
Pak para se të punonte si korrespondent nga Rusia për The Wall Street Journal, Gershkovich punoi për AFP-në dhe median e pavarur ruse The Moskov Occasions.
“Ai akuzohet se ka mbledhur detaje që janë sekret shtetëror në lidhje me aktivitetet e kompleksit ushtarak-industrial rus”, kanë theksuar mediat ruse, ndërsa disa nga kolegët e tij, thanë për mediat se ai së fundmi ka punuar në një rrëfim për grupin paraushtarak rus Wagner.
Evan Gershkovich (32-vjeçar) kishte akreditim rus nga Ministria e Punëve të Jashtme, si korrespondent i gazetës Wall Street Journal nga Rusia.
SHBA dhe NATO kërkojnë lirimin e menjëhershëm
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë kërkuar Rusisë që të lirojë menjëherë gazetarin Gershkovich, si dhe shtetasin amerikan Paul Whelan, i cili po vuan dënimin me 16 vjet burg në Rusi, për spiunazh.
Gazeta Wall Street Journal tha se ishte thellësisht i shqetësuar për sigurinë e Gershkovich, hodhi poshtë pretendimet e FSB-së dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Kjo gazetë amerikane kujtoi se në artikullin e fundit të disa ditëve më parë, Gershkovich shkroi për ekonominë ruse dhe sesi Kremlini duhet të përballet me rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Më 3 prill, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi lirimin e Gershkovichit dhe e vlerësoi arrestimin e tij si shumë shqetësues.
“Është e rëndësishme të respektohet liria e medias, të drejtat e gazetarëve, e drejta për të bërë pyetje dhe për të bërë punën e tyre”, tha Stoltenberg.
Lidhur me rastin, më herët kanë biseduar me telefon kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov dhe homologu i tij amerikan, Antony Blinken.
“Është e papranueshme që zyrtarët e Uashingtonit dhe mediat perëndimore të bëjnë bujë me qëllimin e qartë për t’i dhënë dimension politik këtij rasti”, ka thënë Lavrov, raportoi Ministria ruse e Punëve të Jashtme.
Antony Blinken pastaj kërkoi edhe një herë që Evan Gershkovich të lirohej menjëherë dhe deklaroi se paraburgimi i këtij gazetari ishte i papranueshëm.
Mediat ruse: Rusia ngre akuza për spiunazh ndaj gazetarit amerikan
VoA
Ndaj gazetarit të burgosur të gazetës amerikane Wall Street Journal, Evan Gershkovich, janë ngritur akuza për spiunazh në Rusi dhe ai deklaroi zyrtarisht pafajësinë në një gjykatë ruse, njoftuan të premten dy agjenci ruse të lajmeve.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tass dhe agjencia e lajmeve Interfax thanë se një burim i forcave të zbatimit të ligjit i informoi ato se Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi, i njohur si FSB, ka akuzuar zyrtarisht gazetarin amerikan.
Mediat nuk thanë se në çfarë forme u akuzua zyrtarisht gazetari Gershkovich ose kur ndodhi kjo, por në përgjithësi të dyshuarve u paraqitet një dokument që detajon akuzat.
Në sistemin ligjor rus, ngritja e akuzave dhe një përgjigje nga i akuzuari përfaqësojnë fillimin zyrtar të një hetimi penal, duke nisur atë që mund të jetë një proces gjyqësor i gjatë dhe i fshehtë.
Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi burimin e saj të thoshte se: “FSB-ja ka ngritur akuza për spinuazh në interes të vendit të tij ndaj gazetarit Gershkovich. Ai i mohoi kategorikisht të gjitha akuzat dhe deklaroi se ishte i angazhuar në aktivitete gazetareske në Rusi”.
Burimi nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme sepse rasti konsiderohet sekret.
Autoritetet ruse e arrestuan 31 vjeçarin Gershkovich në Yekaterinburg, qyteti i katërt më i madh i Rusisë, më 29 mars. Ai është korrespondenti i parë amerikan që nga Lufta e Ftohtë që arrestohet nën dyshimet për spiunazh.
FSB-ja akuzoi posaçërisht zotin Gershkovich se po përpiqej të merrte informacion të klasifikuar në lidhje me një fabrikë ruse të prodhimit të armëve. Gazeta Wall Street Journal i ka mohuar akuzat.
Rasti ka shkaktuar reagime ndërkombëtare. Të enjten, ambasadorja amerikane në Rusi dhe një diplomat i lartë rus u takuan për ta diskutuar këtë çështje.
Në takimin me ambasadoren amerikane, Lynne T. Tracy, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov theksoi "natyrën serioze të akuzave" kundër zotit Gershkovich, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.
Deklarata përsëriti pretendimet e mëparshme ruse se gazetari “u kap në flagrancë ndërsa përpiqej të merrte informacione sekrete, duke përdorur statusin e tij të gazetarit si mbulesë për veprime të paligjshme”.
Avokatët që përfaqësojnë gazetarin Gershkovich u takuan me të të martën për herë të parë që nga ndalimi i tij, tha kryeredaktorja e gazetës Wall Street Journal, Emma Tucker.
Zonja Tucker tha se gazetari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe “është mirënjohës për mbështetjen e madhe nga e gjithë bota. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm”.
Në bazë të një urdhëri gjykate, Evan Gershkovich do të mbahej pas hekurave për dy muaj në Rusi, në pritje të një hetimi. Një gjykatë në Moskë tha të hënën se kishte marrë një apelim nga avokatët mbrojtës lidhur me arrestimin e tij. Apelimi pritet të shqyrtohet nga gjykata më 18 prill, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.























