BRUKSEL – BE-ja shton grupin “Wagner” në listën e sanksioneve
atsh
Bashkimi Evropian ka shtuar grupin mercenar rus “Wagner” në listën e sanksioneve, pasi akuzohet për pjesëmarrje aktive në agresionin rus kundër Ukrainës.
“Forcat ‘Wagner’ kanë udhëhequr sulmet e Rusisë në qytetet ukrainase Soledar dhe Bakhmut”, thuhet në një deklaratë.
Kjo nuk është hera e parë që BE-ja mer masa ndaj kompanisë famëkeqe private që shërben si një krah jozyrtar i operacioneve ushtarake të Kremlinit, në mbarë botën.
Në shkurt, BE-ja vendosi masa ndëshkuese për 11 individë dhe shtatë entitete të lidhura me grupin “Wagner”.
Disa prej tyre u akuzuan për shkelje të të drejtave të njeriut në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudan, të tjerë për rrezikim të sigurisë dhe stabilitetit në Mali.
“Fakti që ‘Wagner’ është sanksionuar përsëri thekson dimensionin ndërkombëtar dhe peshën e aktiviteteve të grupit, si dhe ndikimin e tij destabilizues në vendet ku ai është aktiv”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Përveç kësaj, BE-ja vendosi sanksione ndaj organizatës ruse të medias RIA FAN, e cila i përket “Patriot Media Group”, bordi i drejtorëve që udhëhiqet nga kreu i mercenarëve “Wagner”, Yevgeny Prigozhin.
RIA FAN u akuzua për përfshirje në propagandën pro-qeveritare dhe dezinformim rreth pushtimit rus të Ukrainës.
Në total, masat kufizuese të BE-së për aktet që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës aktualisht po zbatohen për 1 473 individë dhe 207 entitete.























