Milani kërkon rikthimin në histori
RTSH
Po rritet gjithnjë e më shumë ankthi për ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së kampioneve, atë midis Napolit e Milan-it.
Por tifozët e Milan-it duket se janë disi më të shqetësuar se ata të Napoli-t. Kjo për faktin se trajneri Pioli rrezikon të humbasë Olivier Giroud.
Francezi e filloi stërvitjen një ditë më parë në Milanello, por nuk e përfundoi atë për shkak të një problemi në tendinën e Akilit në këmbën e majtë.
Gjë që mund ta verë në dyshim praninë e tij në Maradona. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, dëmtimi i francezit ka ndodhur për shkak të një ndërhyrjeje të vështirë nga Kim që në ndeshjen e parë. Por gjithsesi në Milanelo kanë besim se Giroud mund të jetë në fushë të martën në mbrëmje ndaj Napoli-t. Nëse sulmuesi francez nuk ia del, favorit për të zënë vendin e tij do të ishte Ante Rebiç, një nga më pozitivët në ndeshjen ndaj Bolonjës. Është e qartë se Milani ka nevojë për numrin 9 dhe Giroud do të bëjë gjithçka për të qenë atje, por Pioli ndoshta do ta mbajë dyshimin deri në disa orë para fillimit të ndeshjes.
Dhe ky do të jetë i vetmi dyshim për trajnerin e Milani-t, sepse për pjesën tjetër formacioni është bërë dhe do të jetë njësoj si në ndeshjen e parë, me Kjaer në qendër të mbrojtjes përkrah Tomorit. Pas polemikave për ndeshjen e parë mes Napolit dhe Milani-t të luajtur në San Siro, UEFA ka shpallur zyrtarisht arbitrin që do të drejtojë ndeshjen e kthimit të planifikuar për të martën më 18 prill në stadiumin Diego Armando Maradona.
Do të jetë Szymon Marciniak (Simon Marçiniak) ai që do të drejtojë sfidën midis dy skuadrave italiane. Në dhjetor, polaku gjykoi finalen emocionuese të Kupës së Botës në Katar midis Argjentinës dhe Francës. Zgjedhja më e mirë e mundshme për UEFA-n për një ndeshje që premton të jetë e tensionuar dhe e balancuar që në minutën e parë.























