Ronald Sobowale `Ylli i Javës` në Superligë
BKT
Sport

Ronald Sobowale `Ylli i Javës` në Superligë

B.H. | RTKlive

Dy golat e shënuar në ndeshjen kundër Ferizajt, të cilët ia mundësuan arkëtimin e tri pikëve të rëndësishme Malishevës në luftën për mbijetesë kanë bërë që sulmuesi Ronald Sobowale, të kurorëzohet me çmimin e javës së 30-të në Albi Mall Superligë

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Edmond Cana, Flamur Sinani, Bekim Domniku.

Ky Komision unanimisht vlerësoi se lojtari i Malishevës, Ronald Sobowale  e meriton epitetin e yllit të javës, pasi ai ishte vendimtar në fitoren si mysafir kundër Ferizajt (2:1).

Pasi iu nda ky çmim, Sobowale u shpreh i lumtur për vlerësimin, derisa vuri në pah optimizmin e tij që Malisheva ta sigurojë mbetjen në elitë edhe në këtë edicion.

“Jam shumë i gëzuar për këtë çmim dhe i falënderoj shumë bashkëlojtarët e mi. Mendoj që Malisheva do të qëndrojë në Albi Mall Superligë, meqë gjithçka është në dorën tonë. Na duhet të punojmë shumë sepse kemi para vetës 6 ndeshje shumë të vështira. Eksperienca ime në Kosovë është shumë e mirë dhe e shijoj çdo ditë. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm dhe mikpritës”, ka theksuar Sobowale për faqen zyrtare të FFK-së.

Pas kësaj fitoreje Malisheva është stabilizuar në pozitën e shtatë në renditje, me 33 pikë dhe tani gjasat për t’iu shmangur pozitave të rrezikshme janë më të mëdha.