Messi dëshiron të kthehet në Barcelonë
B. H. / RTKlive
Argjentinasi Lionel Messi dëshiron të kthehet në Barcelonë dhe është gati të ketë një pagë më të ulët sesa në Paris Saint-Germain.
Ai luajti për Barcelonën nga viti 2000 deri në vitin 2021, dhe më pas u transferua në PSG për shkak të problemeve financiare në të cilat ishte dhe është ende klubi katalanas.
Messi ka kontratë me parisienët deri në fund të sezonit, por ende nuk ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën, ndonëse ka një ofertë për të qëndruar në Paris.
“Daily Mail” raporton se futbollisti legjendar argjentinas ka vendosur tashmë të jetojë sërish me familjen në Barcelonë. Në fillim të negociatave, klubi katalanas do t'i ofrojë argjentinasit një kontratë dyvjeçare sipas së cilës ai do të fitojë 12 milionë euro në sezon.
“Messi është i vetëdijshëm për problemet financiare të Barcelonës dhe e kupton situatën e vështirë në klubin ku ai bëri emër dhe kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij. Argjentinasi e bën të qartë se është gati të refuzojë ofertat megalomane nga Arabia Saudite, vetëm për besnikëri. Messi ka besim se mund të luajë ende në nivelin më të lartë dhe pas disa vitesh mund të jetë gati të performojë në ndonjë destinacion futbolli ‘ekzotik’”, shkruan “Daily Mail”.
Messi luajti 36 ndeshje për PSG-në këtë sezon dhe shënoi 20 gola.























