Milani me mendjen te Roma
RTSH
Milani i Piolit iu rikthye suksesit në Serie A, duke mposhtur Leccen 2-0 në San Siro dhe duke rifilluar kërkimin për vendin e katërt, i cili e kualifikon në Ligën e Kampionëve.
"Fitorja ishte shumë e rëndësishme, e ashtu si ndeshja e radhës me Romën janë thelbësore – tha trajneri i kuqezinjve. - Leao shënoi me kokë. Ai duhet të jetë më shpesh në pozicionin pranë shtyllave për të provuar të shënojë me kokë, sepse ai është i gjatë dhe ka një kërcim të shkëlqyer. Leao i ka të gjitha mundësitë për t’u përmirësuar në këto detaje të vogla".
Në horizont është derbi me Interin në Ligën e Kampionëve, sfidë e cila gjithsesi vlen edhe për vendin e katërt: "Thelbësore për ne do të jetë ndeshja në Romë dhe lojtarët e mi e dinë këtë. I kemi lënë pas momentet e vështira. Do të jenë dy ndeshje të mëdha derbi në Ligën e Kampioneve, për t'u shijuar në maksimum, por tani le të mendojmë për kampionatin dhe Romën që është e fortë dhe e udhëhequr nga një trajner i madh. Ata janë përpara nesh dhe do të jetë një ndeshje e drejtpërdrejtë që vlen dyfish”.
Vetëm një gol ka pësuar Milani në katër ndeshje. E mbrojtja bëhet edhe një herë pika e fortë e kësaj skuadre. Pioli ka ngritur murin dhe mbyllur fortesën përpara portierit Menjan. Në muajin prill, kuqezinjtë janë më kompaktë dhe mbrojtja është pika më e fortë. Me fitoren ndaj Leçes, Milani ka mbajtur portën të paprekur në tre raste nga katër të fundit në Serie A, pa llogaritur dy ndeshjet e Champions League kundër Tottenham (0-0) dhe Napoli (1-0).
Një sinjal i shkëlqyer në funksion të garës për vendin e katërt. Deri në përfundim të kampionatit kanë mbetur edhe shtatë ndeshje dhe Pioli do të ketë tre përplasje direkte ndaj Romës, Lazios dhe Juves. Kuqezinjtë kanë pësuar 37 gola, më shumë se të gjitha skuadrat e tjera të përfshira në luftën e kualifikimit në Ligën e kampioneve. E tani kuqezinjtë kanë vetëm një synim, të ngrihet përsëri muri mbrojtës. Precedentët thonë se ka sukses.























