Pas ngjarjeve tragjike, kërkohen dorëheqje të liderëve serbë
BKT
Foto: Anamari Repiq/RTK
Rajoni dhe Bota

Pas ngjarjeve tragjike, kërkohen dorëheqje të liderëve serbë

Anamari Repiq/RTK-Beograd

Me rastin e dy vrasjeve masive ku për dy ditë mbetën të vrarë 17 persona dhe 20 të plagosur, në Serbi po fillon zbatimi gradual i masave të sigurisë, por kërkohet edhe përgjegjësi. Pas dy raste të shtënave me armë zjarri, që ndodhën në fshatrat afër Mlladenovcit dhe Smederevës, si dhe në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, sot po fillon zbatimi i masave të reja të paralajmëruara nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë.

Duke filluar nga sot, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në të gjitha shkollat ​​në Serbi. Gjithashtu është paralajmëruar rritja e numrit të pedagogëve dhe psikologëve nëpër shkolla. Një nga masat është reduktimi i armëmbajtjes.

MPB-ja bëri të ditur se dorëzimi i armëve të paregjistruara do të fillojë sot pa pasoja dhe do të zgjasë një muaj. Pas këtij afati u paralajmëruan dënime të rënda. Masa të tjera në lidhje me armëmbajtjen janë duke u futur.

“Qytetarët që dorëzojnë armë të paregjistruara në atë periudhë nuk do të kenë nevojë të dëshmojnë origjinën e tyre dhe mund t’i lënë në polici çdo ditë nga ora 7 deri në orën 19:00”, njofton MPB, duke sqaruar se kjo vlen për të gjitha llojet e armë dhe municione që janë të mbajtur në mënyrë të paligjshme.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se do të ketë një ulje “prej 90 për qind të armëve legale”. Sipas tij, të gjithë ata që kanë leje për armëmbajtje do të kontrollohen një herë në vit.

Vuçiq tha se pret që policisë t’i dorëzohen “miliona plumba” dhe kujtoi se në muajin e ardhshëm nuk do të ketë dënime për ata që e bëjnë këtë, por se pas kësaj do të shtohen dënimet për armëmbajtje pa leje.

Duke folur për masat e reja, ai deklaroi se do të punësohen 2500 policë të rinj.

“Masa kyçe është se në të gjitha shkollat ​​do të ketë punonjës policie, prania e policëve nëpër shkolla sigurisht që e zvogëlon rrezikun nga 70 deri në 80 për qind”, tha Vuçiq duke paralajmëruar po ashtu një rritje të numrit të pedagogëve dhe psikologëve nëpër shkolla.

Në Serbi kanë kaluar tre ditë zie, por një sërë manifestimesh ngjarje të planifikuara për ditët në vijim po anulohen. Sipas mjekëve, edhe katër të plagosur në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd si dhe në rrethinën e Mlladenovcit, janë ende në gjendje të rëndë dhe jeta e tyre është në rrezik.

Sot nxënësit po kthehen në shkollë, ndërsa në shkollën fillore ku ndodhi vrasja masive mësimi do të nisë nga e mërkura, gradualisht me cikle. Në Serbi, publiku pyet se cili është shkaku që çoi në vrasjet masive, cilat do të jenë pasojat dhe ku dështuan institucionet.

Opozita, por edhe një pjesë e shoqërisë civile, kërkon përgjegjësi institucionale nga pushteti. Ministri i

arsimit Branko Ruzhiq të dielën ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, e cila ka qenë edhe kërkesë e një pjese të opinionit dhe opozitës. Po ashtu, opozita kërkon shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq dhe drejtorit të BIA-s, Aleksandar Vullin.

“Ata janë përgjegjës direkt për sistemin e shembur dhe reagimin joadekuat të pushtetit”, njoftoi opozita. Një pjesë e opozitës pro-evropiane ftoi qytetarët në një protestë sonte në Beograd, duke deklaruar se dy tragjeditë në Serbi ndodhën sepse “sistemi dështoi”.

Radomir Lazoviq, një nga liderët e lëvizjes “Të mos e mbysim Beogradin”, tha për agjencinë Beta se kërkesat e protestës duhet të plotësohen dhe kritikoi pikëpamjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “ai po përpiqet të shpëtojë nga përgjegjësia”.

“Ndërsa njerëz të pafajshëm po vdesin, Vuçiq po përpiqet të na bindë se askush nuk është fajtor, ai po përpiqet të justifikojë një sistem që ka dështuar në mënyrë katastrofale dhe po ikën nga përgjegjësia”, tha ai.

Për thirrjes për protestë kanë reaguar edhe përfaqësues të pushtetit duke akuzuar opozitën se “nuk ka plan konkret për ta bërë Serbinë edhe më të mirë dhe se dhimbja përdoret për qëllime politike”. Duke komentuar tubimin e ftuar nga përfaqësuesit e opozitës, Vuçiq tha se ftesa e opozitës në protestë në Beograd ishte krejtësisht e gabuar dhe e papërgjegjshme.

“Kjo nuk ka kuptim”, tha Vuçiq. A do te ketë “vendime të vështira politike”?

Siç raportojnë media të afërta me qeverinë, presidenti Vuçiq do të shpallë “vendimet e gjera politike që do të ndryshojnë Serbinë”. Sipas tyre, këto vendimet Vuçiq do t’i prezantojë sonte në një intervistë televizive.

Siç raportojnë media të afërta me partinë e presidentit Vuçiq, në seancën e “Partisë Përparimtare Serbe”, Aleksandar Vuçiq, propozoi tre vendime të mundshme: “pranimin e dorëheqjes së të gjithë kabinetit të Ana Brnabiqit”, pastaj “dorëheqja e përbashkët e Qeverisë dhe Presidentit dhe shkuarja në zgjedhjet e përgjithshme në të cilat Vuçiq nuk kandidon për president”, ose “vetëm dorëheqja e presidentit”.

“Sigurisht që çdo vendim do të konfirmohet në Kuvendin e “Partisë Përparimtare Serbe” më 27 maj”, shkruajnë mediat. Sipas burimeve të tyre, Vuçiq “u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se do të ketë vendime befasuese” në ditët në vijim.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota