Taulant Xhaka dënohet për sjellje josportive
B. H. | RTKlive
Kapiteni i Baselit, Taulant Xhaka, është dënuar me tetë ndeshje moslojë, pasi shfaqi sjellje josportive në ndeshjen mes Baselit dhe Cyrihut.
Cyrihu e mposhti Baselin në kuadër të xhiros së 32-të të kampionatit zviceran, me rezultat 2:0.
Në fund të ndeshjes tre lojtarë të Baselit u përjashtuan me karton të kuq, ndërsa më së shumti probleme i shkaktoi Taulant Xhaka.
Tërbimi i tij arriti kulmin me një goditje me kokë në gjoksin e Nikola Katic, në stilin e Zinedine Zidane në finalen e Kupës së Botës 2006 ndaj Marco Materazzit.
Xhaka kërkoi falje për atë që bëri, por kjo nuk ndikoi në dënimin e rëndë. Taulant Xhaka ka luajtur për Baselin pothuajse gjatë gjithë karrierës së tij, që nga viti 2010, me një qëndrim të shkurtër te Grasshoppers.























