Boston Celtics kalon në finale të Konferencës Lindore
B. Halimi | RTKlive
Basketbollistët e Boston Celtics kanë kaluar në finalen e Konferencës Lindore në NBA, pasi mposhtën Philadelphian, me rezultat 112:88.
Jayson Tatum shkëlqeu me 51 pikë. Deri te kjo fitore Celtics arritën me mbrojtjen të fortë dhe efikasitet të shkëlqyeshëm në çerekun e tretë (33:10), ku shënuan madje 8 trepikësh. Tatum theu rekordin e NBA për pikët e shënuara në ndeshjen e shtatë të serisë gjysmëfinale. Për më pak se 42 minuta të kaluara në parket, ai shënoi 51 pikë dhe kësisoj theu rekordin e Stephan Curry, i cili tre javë më parë shënoi 50 kundër Sacramento Kings.
"Ndjehem shumë mirë" tha Tatum pas ndeshjes. “Kjo ishte një seri para - prapa. Natyrisht, nuk luajta mirë në pjesën e parë në ndeshjen e kaluar dhe jam i lumtur që pata mundësi për t'u rikthyer. Loja e shtatë ka të bëjë thjesht me fitoren ose të kthehesh në shtëpi”, shtoi ai.
Krahas tij u dallua edhe Jalen Brown me 25 pikë, derisa te Philadelphia, Tobias Harry ishte më efikasi me 19 pikë, ndërsa Tyrese Maxey shtoi 17 pikë. Për kualifikimin në finalen e madhe të NBA-së, Bostoni do të luftojë me Miami Heat.
"Ne luajtëm mirë gjatë gjithë vitit dhe kjo humbje në një farë mënyre e zvogëlon absolutisht atë që bëmë deri tash", tha trajneri i Philadelphias, Doc Rivers. “... Mendoj se kjo skuadër po ecën drejt. Mendova se bëmë një hap tjetër këtë sezon. Dhe pastaj sonte bëmë një hap prapa. Por edhe kjo ndodh”, shtoi ai.























