Tifozët e Espanyolit shkaktojnë kaos, ndalin festën e lojtarëve të Barçës
BKT
Sport

Tifozët e Espanyolit shkaktojnë kaos, ndalin festën e lojtarëve të Barçës

B. Halimi | RTKlive

Lojtarët e Barcelonës të cilë po e festonin titullin e kampionit në La Liga, të dielën, u desh të largoheshin me nxitim pasi tifozët e Espanyolit pushtuan fushën dhe filluan të vrapojnë drejt tyre.

Një grup i madh mbështetësish të Espanyolit nga pjesa ultras prapa portës u hodhën në fushë dhe u drejtuan drejt lojtarëve të Barçës që po këndonin dhe festonin në qendër për suksesin e arritur.

Rojet e sigurisë ndërhynë shpejt për të mbajtur të sigurt lojtarët dhe zyrtarët e klubit. Madje, disa nga rojet u përballën fizikisht me tifozët, por u shtynë përsëri drejt tunelit. Si rrjedhojë policia u detyrua të qëndronte para hyrjes së tunelit me mburoja për të parandaluar hyrjen e tifozëve.

Tifozët e Espanyolit hodhën karrige dhe sende të tjera përpara se të shpërndaheshin.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, u përpoq t'i çonte lojtarët e tij në dhomat e zhveshjes edhe para veprimeve të tifozëve.

“Ishte një moment festimi, euforie, ishte normale, por ne nuk ishim në shtëpinë tonë dhe në një moment ndjeva se ishte më respektuese nëse do të ktheheshim në dhomat e zhveshjes”, tha ai.

Espanyol kërkoi falje për incidentin në derbin e Barcelonës në stadiumin RCDE.

“Gjithmonë duhet ta dënojmë dhunën, në të gjitha aspektet e jetës”, tha trajneri i Espanyol, Luis Garcia. “Gjithçka ishte bërë për të mos ndodhur kjo, por thjesht ishte e pamundur të ndalohej”, shtoi ai.

Barcelona e fitoi ndeshjen 4-2 për të fituar titullin e saj të parë në La Liga që nga viti 2019, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në mbyllje të kampionatit. Ndërkaq, Espanyoli  pas kësaj humbje mbetet në pozitën e fundit.