Power: USAID i përkushtuar tu dalë në ndihmë refugjatëve sudanezë
Përgatiti/ Hanife Osmani/ RTK
Shefja e USAID-it Samantha Power, në një intervistë për Al Jazeera shpalosi krizën e refugjatëve e cila po ndodhë tash e sa kohë në kampin Gaga, Çad. Ajo tha se USAID është e përkushtuar tu dalë në ndihmë refugjatëve sudanezë.
Power nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, njoftoi se do të ofrojnë 100 milion dollarë financim për Sudanin dhe vendet që strehojnë refugjatët sudanezë të zhvendosur.
Që nga 15 Prilli të paktën 250,000 refugjatë kanë kaluar në vendet fqinje me Sudanin pas një rivaliteti midis gjeneralit të ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan dhe kreut të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake, Mohamed Hamdan "Hemedti" Dagalo.
Konflikti i armatosur detyroi edhe 843,000 njerëz të tjerë të zhvendosën sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, kështu duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve që ikën nga shtëpitë e tyre gjatë gjashtë javëve të fundit në më shumë se një milion.
Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në kryeqytetin sudanez, Khartoum, kryesisht midis komuniteteve arabe dhe Masalit. Valët e dhunës ndërkomunale kanë detyruar të paktën 60,000 refugjatë deri më tani të ikin në Çadin fqinj.
Sipas zhvillimeve në terren, agjencitë e ndihmës thonë se shifrat janë shumë më të larta pasi njerëzit vazhdojnë të qarkullojnë çdo ditë nëpër vende dhe se mijëra qytetarë nuk janë regjistruar deri më tani. Shumica e refugjatëve janë në vendbanime informale përgjatë kufirit dhe mbeten në rrezik nga luftimet nëse nuk zhvendosen përpara se të fillojë sezoni i shirave pas rreth katër javësh.
Shefja e Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, përgjatë intervistës deklaroi se meqenëse situata çdo ditë po vije duke u përkeqësuar brenda Sudanit, USAID po tenton të rrisë mbështetjën kështu duke u kërkuar edhe aleatëve nga terreni që tu bashkohen në ndihmë ndaj krizës e cila ka përfshirë tashmë në përmasa të mëdha popullin sudanez.
Më tutje Power, theksoi se fokusi kryesor i SHBA-ve është të sjellin në tryezën e bisedimeve të dyja palët konfliktuoze në mënyrë që luftimet që po i shtyjnë njerëzit në këto kushte të tmerrshme të ndalen.
Ajo shtoi se kjo është diçka për të cilën edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken po punon së bashku me sauditët, Bashkimin Afrikan dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar.























