Xavi: T’i themi mjaft racizmit, në asnjë sport s’ka ofendime si në futboll
BKT
Sport

Xavi: T’i themi mjaft racizmit, në asnjë sport s’ka ofendime si në futboll

B. H. | RTKlive

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez është shprehur tejet i ashpër në konferencë për media para ndeshjes që skuadra e tij do ta luajë kundër Real Valladolid, pas fyerjeve raciste që tifozët bën të dielën ndaj Vinicius Junior në duelin ndërmjet Valencias dhe Real Madridit në “Mestalla”.

Futbollisti brazilian tregoi me gisht ndaj njërit prej personave në tribuna që kishte përdorur fjalë raciste ndaj tij.

"Është turp që gjëra të tilla ndodhin ende në vitin 2023. Kjo është gjë trishtuese dhe e mjerueshme. Ne dënojmë çdo akt racist ndaj çdo lojtari. Këtu nuk ka ndarje midis ekipesh. Është fjala për njerëzit dhe ne duhet të dënojmë çdo akt të tillë si ai që ndodhi në ‘Mestalla’ me Viniciusin. Ne duhet të ecim përpara dhe të jemi të fortë për ta eliminuar racizmin", tha Xavi.

"Futbolli është e vetmja disiplinë sportive ku fyerjet pranohen. Jam në fushë dhe njerëzit më quajnë 'bushtër'. Nuk shoh të fyhet asnjë bukëpjekës, punëtor apo gazetar. Është koha t’i japim fund kësaj çështje. Ky është një mesazh për presidentin e ligës apo të federatës. Askush nuk fyen punëtorin apo bukëpjekësin. Shkoni fyeni një punëtor dhe do të shohësh çfarë do të ndodhë, do të ju bjerë një tullë në kokë. Nuk kam pse t’i duroj lloj-lloj fyerjesh dhe përbuzjesh gjatë orarit tim të punës. Kam menduar gjithmonë kështu, dhe tani që jam trajner i Barcelonës dhe kam më shumë mundësi mediatike, po e përdorur këtë rast për ta thënë një gjë të tillë me forcë", tha tutje Xavi.

Ai shtoi se lufta kundër racizmit duhet të ndiqet përmes edukimit.

“Duhet ta ndalojmë këtë. Nuk më intereson nëse është Vinicius apo Samuel Eto'o. Nuk më intereson stema e ekipit në fanellë. Duhet ta ndalojmë ofendimin, nuk duhet ta durojmë, është shumë e pakëndshme. Nuk e shoh këtë në asnjë sport tjetër. Në tenis, të gjithë heshtin kur një lojtar shërben. Duhet të themi me zë të fuqishëm ‘mjaft’. Ta ndërpremë lojën dhe të shkojmë në shtëpi”, shtoi Xavi.