Negociatat Biden-McCarthy, pa marrëveshje
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Negociatat Biden-McCarthy, pa marrëveshje

Dardan Ramabaja /RTK

Presidenti amerikan Joe Biden dhe zyrtari i lartë republikan Kevin McCarthy, i kanë quajtur produktive bisedimet e tyre të fundit mbi tavanin e borxhit të qeverisë, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje.

Presidenti Joe Biden dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy nuk mundën të arrinin një marrëveshje të hënën për të rritur tavanin e borxhit prej 31.4 trilion dollarësh të qeverisë amerikane vetëm 10 ditë përpara afatit që do të mund të fundoste ekonominë amerikane, por u zotuan të vazhdojnë të bisedojnë.

Presidenti demokrat dhe republikani kryesor i Kongresit kanë luftuar për të bërë një marrëveshje, pasi McCarthy i bën presion Shtëpisë së Bardhë që të pajtohet me shkurtimet e shpenzimeve në buxhetin federal që Biden i konsideron "ekstreme" dhe presidenti që kërkon taksa të reja të cilat republikanët i kanë refuzuar.

Të dyja palët theksuan nevojën për të shmangur falimentimin me një marrëveshje dypartiake pas takimit të së hënës në mbrëmje, e megjithatë, sinjalizuan se do të bisedojnë rregullisht në ditët në vijim.

Një burim i afërt me situatën tha se negociatorët e Shtëpisë së Bardhë do të kthehen në Capitol Hill të hënën mbrëma për të rifilluar bisedimet.

“Ne përsëritëm edhe një herë se falimentimi është jashtë tryezës dhe mënyra e vetme për të ecur përpara është në mirëbesim drejt një marrëveshjeje dypartiake”, tha Biden në një deklaratë pas takimit, të cilin ai e quajti “produktiv”.

Kurse republikani McCarthy u tha gazetarëve pas më shumë se një ore bisedimesh me Biden se negociatorët "do të mblidhen së bashku, do të punojnë gjatë gjithë natës" në përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët.

"Unë besoj se ne ende mund të arrijmë atje," ka thënë McCarthy. Ai u shpreh se nuk është i gatshëm të marrë në konsideratë planin e Biden për të ulur deficitin duke rritur taksat për të pasurit dhe duke mbyllur boshllëqet e taksave për industrinë e naftës dhe atë farmaceutike, dhe se është i fokusuar në reduktimin e shpenzimeve në buxhetin federal 2024.

Demokratët dhe republikanët kanë afat deri më 1 qershor për të rritur kufirin e vetëhuamarrjes së qeverisë ose për të shkaktuar një falimentim të paprecedentë të borxhit që ekonomistët paralajmërojnë se mund të sjellë një recesion. Çdo marrëveshje për të rritur kufirin e borxhit duhet të kalojë të dyja dhomat e Kongresit, dhe për këtë arsye varet nga mbështetja dypartiake, me Republikanët e McCarthy që kontrollojnë Dhomën e kongresit, dhe demokratët e Biden-it që kanë Senatin 51-49.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota