Luftëtarët rus kalojnë kufirin dhe marrin kontrollin në rajonin në Bolgorod
Rajoni dhe Bota

Luftëtarët rus kalojnë kufirin dhe marrin kontrollin në rajonin në Bolgorod

Luan Qorraj/RTK

Grupe vullnetarësh rusë, të cilët po luftojnë për Ukrainën, e kanë kaluar kufirin dhe kanë filluar të marrin kontrollin e pjesëve të territorit në rajonin e Bolgorod, brenda Rusisë.

Moska zyrtare ka thënë se është duke luftuar kundër grupeve të sabotatorëve, ndërsa Kievi zyrtar deklaroi se është në dijeni për ngjarjen porse ky operacion nuk po zhvillohet nën komandën ukrainase.

Dy grupe të ish-ushtarakëve dhe vullnetarëve rusë, të cilët po luftojnë për Ukrainën, "Korpusi i vullnetarëve rusë" dhe "Legjioni për lirinë e Rusisë" kanë hyrë në rajonin e Bolgorodit, brenda Rusisë, ku , tanimë, kanë marrë kontrollin e disa fshatrave dhe territorit për rreth tyre. Pjesëtarët e këtyre grupeve kanë publikuar edhe pamje të përleshjeve përreth Bolgorodit dhe kanë thënë se qëllimi i operacionit është krijimi i një zone mbrojtëse mes Rusisë dhe Ukrainës e cila do të ndalonte apo ngadalësonte sulmet e ardhshme ruse nga ai drejtim.

Ata gjithashtu e identifikuan vetën si njësite të përbëra prej qytetarëve të Rusisë, të cilët po luftojnë kundër Putinit. Edhe pse, në të kaluarën, grupe të vogla të forcave ukrainase kalonin kufirin rus, kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës që Rusia duhet të mbrojë territorin e saj nga një forcë më e madhe luftarake. Nuk ka informata të sakta se sa luftëtarë kanë hyrë në Rusi, por, duke u bazuar në pamje të publikuara, besohet se në pyetje janë më shumë se 500 luftëtarë së bashku me autoblinda dhe një numër të pacaktuar të tankeve. Gjithashtu ka raporte të pakonfirmuara se, deri më tani, së paku dy helikopterë rus u rrëzuan në rrethinat e Bolgorodit. Edhe pse Rusia ka thënë se forcat e saj janë duke i kërkuar "grupet e vogla të sabotatorëve" të cilët kanë arritur të hyjnë në Rusi nga Ukraina, kanë shtuar se nuk ka nevojë për panik.

Zyrtarët në rajonin e Bolgorodit kanë urdhëruar evakuimin e banorëve të disa fshatrave përderisa është raportuar edhe se banorët e qytetit Bolgorod janë duke u larguar masovikisht, për t’i ikur ndonjë sulmi të madh ukrainas. Ndërkohë, Kievi zyrtar ka thënë se është në dijeni të zhvillmeve në Bolgorod dhe se është duke i përcjellë ato por edhe shtoi se Ukraina nuk ka të bëjë me këtë operacion.

Sipas Kievit, sulmi u organizua tërësisht nga vullnetarët rusë në ushtrinë Ukrainase si dhe nga grupet e kundërshtarëve të Putinit brenda Rusisë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota