SHBA distancohet nga sulmi në Belgorod
Përgatiti: Hanife Osmani/ RTK
SHBA është distancuar nga sulmi i papritur i së hënës në rajonin kufitar të Belgordit, brenda territorit të Rusisë, duke sqaruar se e njëjta nuk inkurajoi apo mundësoi sulme brenda territorit rus.
Mirëpo, sipas Kremlinit zyrtar, ky sulm përfundoi me humbjen e kryengritësve të armatosur që hynë nga Ukraina. Ata, madje, publikuan fotografi të automjeteve ushtarake perëndimore të braktisura dhe të dëmtuara, duke përfshirë Humvees, të prodhuar në SHBA.
Ekspertë dhe blogerë ukrainas thonë se imazhet e automjeteve të shkatërruara amerikane të publikuara nga Rusia, me shumë mundësi, mund të kenë qenë të inskenuara.
Nga terreni është parë se fshatrat në Belgorod pranë kufirit u evakuuan pasi u vunë nën zjarr. Rusia thotë se 70 sulmues u vranë, duke këmbëngulur se luftëtarët e vrarë ishin ukrainas.
Ndërsa Kievi mohon kategorikisht përfshirjen e tyre në këtë sulm, ata kanë sugjeruar se pas gjithë kësaj qëndrojnë grupe paraushtarake ruse, të cilat kundërshtojnë ashpër presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, inkursioni i befasishëm brenda Rusisë bëri që Moska të urdhërojë bastisje të rrepta dhe, gjithashtu, të shpallte operacione të veçanta kundër terrorizmit në vend. Kësisoj autoriteteve vendore u dha kompetencat e plota për të shtypur komunikimet dhe lëvizjet e njerëzve.